Skënderbeu shtron rrugën drejt titullit, mposht Tiranën në finalen e parë

29 Prill 2022
8:15
Telesport
back button

Skuadra e Skënderbeut në volejboll për femra fitoi 3-0 ndaj Tiranës në finalen e parë play off, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë. Një sfidë me rivalitet dhe emocione në shumicën e kohës, e fituar me meritë nga vajzat korçare, që pasi dominuan në sezonin e rregullt synojnë titullin kampion.

Përballë një tifozerie të zjarrtë, që kishte mbushur plot pallatin e sportit, Skënderbeu arriti të korrë një fitore të rëndësishme, duke udhëhequr 1-0 serinë e finaleve (kampione shpallet skuadra që fiton 3 nga 5 finalet e planifikuara). Tifozeria nxiti ekipin vendës në momentet e vështira, duke mos zhgënjyer në fushë.

Seti i parë ishte mjaft emocionues dhe dramatik, ku në pikët shtesë triumfon 27-25 ekipi korçar. Vendaset e dominojnë lojën në dy setet e tjera, ku fitojnë 25-15 e 25-21. Loja e Tiranës nisi e mirë, por u zbeh me kalimin e kohës, duke mos dhënë atë që pritej. Ndeshja e dytë finale do të luhet në kryeqytet më 1 maj.

Femra-Finale play off

Nd.1, Skënderbeu – Tirana, 3-0 (1-0)

Nd.2, Tirana – Skënderbeu, 1 maj

Nd.3, Skënderbeu – Tirana, 4 maj

Lajme të tjera

Lajmet e fundit