Skuadra kampione e Azisë zbret në fushë me 15 lojtarë pozitivë me Covid

21 Shtator 2020
8:34
Telesport
back button

E pabesueshmja ka ndodhur në Azi. Skuadra kampione e Azisë, ekipi saudit i Al Hilal, ka luajtur ndaj rivalëve iranianë të Shahr Khodro megjithëse 15 lojtarë të saj (mes të cilëve edhe italiani Sebastian Giovinco) kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Madje edhe 6 anëtarë të stafit drejtues kanë dalë pozitivë.

Në fakt, skuadra e Al Hilal kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes, pasi në dy testet e kryera në ditët e fundit fillimisht dolën pozitivë 5 lojtarë e më pas edhe 10 të tjerë. Por Federata Aziatike e Futbollit nuk e kishte marrë parasysh kërkesën, për faktin e Al Hilal kishte edhe 14 lojtarë të tjerë në dispozicion.

Për të kompletuar organikën, trajneri Razvan Lucescu kishte thirrur disa lojtarë nga ekipi i moshave, por në fund skuadra e Al Hilal arriti të marrë një barazim 0-0, që i lejon të kualifikohet në fazën më eliminim direkt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit