Solskjaer humb besimin e klubit, Manchester United kthen sytë nga… Italia

7 Tetor 2019
9:57
Alfred Lleshi
back button

Vetëm disa muaj më parë i kishte befasuar të gjithë, duke arritur ta tjetërsonte për mirë Manchester United, që dukej i destinuar të regjistronte një nga sezonet më të ndërlikuara të historisë së tij të fundit. Megjithatë, sot duket më afër shkarkimit se kurrë. Pankina e Ole Gunnar Solskjaer tani e tutje është gjithnjë e më pak e sigurt. Humbja e fundit, që pësoi të dielën ndaj një Newcastle në krizë, mund t’i ketë vënë vulën përfundimtare fatit të norvegjezit në “Old Trafford”. 

Numrat flasin vetë: në tetë ndeshje të Premier League, “Djajtë e Kuq” kanë marrë vetëm 9 pikë (dy fitore, tri barazime dhe tri humbje). Distanca nga kryesuesit e Liverpool është 15 pikë të plota. Kampionati i Manchester United ka të ngjarë të hidhet në erë plotësisht që në fillim të tetorit, kështu që brenda klubit, por edhe mjedisit rrethues në përgjithësi, kanë filluar të lindin dyshime të rëndësishme për cilësitë e trajnerit norvegjez. 

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, pas pushimit ndërkombëtar (eliminatoreve të kombëtareve), mund të kemi një trajner të ri në krye të “Djajve të Kuq”. Dhe kandidati numër një për zëvendësimin e Solskjaer është Massimiliano Allegri. Trajneri livornez është ende në kërkim të një skuadre, nga e cila t’ia fillojë përsëri, pas përfundimit të ciklit të tij të jashtëzakonshëm me Juventusin. Stoli i Manchester United do të përfaqësonte një mundësi jashtëzakonisht prestigjioze për italianin. 

Një emër tjetër që qarkullon në këto orë është ai i Pochettino (edhe pse Tottenham i tij po përjeton një fillim po aq të keq të sezonit), ndërsa duket se është e pamundur të mendohet rikthimi i Mourinho, që më pak se një vit më parë (18 dhjetor) u zëvendësua nga Solskjaer. Për trajnerin norvegjez, pra, janë zgjatur hijet e zëvendësuesit dhe për momentin, e vetmja gjë që duket se ende e mban të lidhur me Manchester United është kontrata 3-vjeçare, e nënshkruar në mars.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit