Solskjaer nis krasitjen, ja 3 emrat e parë që do largohen

21 Mars 2019
10:40
back button

Ole Gunnar Solskjaer nuk është konfirmuar si trajner përfundimtar te Manchester United, pasi është ende trajner i përkohshëm, por norvegjezi ka bërë një punë të jashtëzakonshme që kur pasoi Jose Mourinho-n në dhjetor dhe tashmë ka nisur të planifikojë sezonin e ardhshëm në Old Trafford.

Në dy muajt e fundit Solskjaer është takuar rregullisht me Avram Glazer, një ndër pronarët e United, ndërsa kontakti me zëvendëspresidentin Ed Woodward është i përditshëm.

Këtë javë Solskjaer doli hapur, duke e pranuar se tashmë në mendjen e tij është e ardhmja te United: "Është e qartë që tani po punoj sikur të isha konfirmuar në drejtim. Mendoj që tani për 5 apo 10 vitet e ardhshme të klubit".

Sipas mediave britanike, norvegjezi ka nisur punën edhe për merkaton, duke bërë gati listën e përforcimeve për në verë, që nis me supertalentin e Dortmundit Jadon Sancho. Edhe pse klubi gjerman këmbëngul se nuk e shet fenomenin e vet, United do të mundohet ta bindë me ofertën më të madhe që ka bërë deri më sot ndonjë klub anglez.

Ndërkaq, Solskjaer është gati të nisë spastrimin në skuadrën aktuale dhe i ka komunikuar klubit emrat e panevojshëm.

Kapiteni i klubit Antonio Valencia është praktikisht i larguar, sepse i mbaron kontrata në qershor dhe United nuk ka ndërmend të rinovojë.

Marcos Rojo është gjithashtu i larguar dhe është lënë i lirë nga klubi që të stërvitet në Argjentinë, pasi nuk është i nevojshëm në Manchester, aty ku karriera i është shkatërruar nga dëmtimet.

Emri i tretë që është në listën e spastrimit është ai i Alexis Sanchez, dështimi kolosal i United në merkato, sepse 14 muaj më parë firmosi me të kontratën më të madhe në historinë e Premier Ligës, 19,2 milionë sterlina në sezon (22 milionë euro), por kiliani nuk është kthyer asnjëherë në nivelet që kishte tek Arsenali. 30-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2022 dhe kjo e vë në siklet të madh United, që e ka të qartë se do ta ketë mjaft të vështirë ta largojë sulmuesin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit