Solskjaer përkëdhel Pogba dhe paralajmëron “fëmijët e llastuar”

17 Korrik 2019
12:16
back button

Ole Gunnar Solskjaer është ende i bindur se Paul Pogba do të jetë pjesë e Manchester United në të ardhmen, ndaj planifikon një United të ndërtuar rreth francezit.

Nga Australia, ku United është në turne, Solskjaer foli gjerësisht për problemet e skuadrës së tij, merkaton dhe shanset që do tu japë disa lojtarëve.

"Pogba është djalosh fantastik, lojtar fantastik, profesionist i jashtëzakonshëm. Kam pasur gjithnjë një marrëdhënie të shkëlqyer me të dhe mendoj se rreth tij duhet ndërtuar skuadra. Tifozët e Man United e njohin futbollin, shumë prej tyre kanë qenë tifozë kohë më parë se të vinin trofetë pa fund me Ferguson. E dimë që disa tifozë e kritikojnë Pogbanë, por shumë të tjerë e duan".

Ndërkaq, një lojtar që askush nuk e do në Manchester është Alexis Sanchez, më i paguari në ekip dhe ndër më të paguarit në planet.

"Për mua, emri dhe shifrat e tij më japin shumë besim, sepse e dimë çfarë është i aftë të bëjë, e pamë edhe në Copa America. Duhet të gjejmë mënyrën për t'i marrë më të mirën e vet, shanset do t'i jepen, por nuk do të bëhem dadoja e tij. Kur të jepet shansi, duhet shfrytëzuar".

Solksjaer nuk ka probleme vetëm me paraqitjet e dobëta të Sanchez, por edhe me "fëmijët e llastuar" tek United, duke nisur nga Jesse Lingard, i cili ka tërbuar tifozët me videon e shëmtuar në Instagram, ku tregonte luksin në një hotel në Miami.

"E kemi trajtuar atë çështje brenda klubit. Unë jam i shkollës së vjetër, e kam fiksim disiplinën. Nuk mund të bëhem dadoja e këtyre lojtarëve, nuk mund t'i ushqejmë si bebe. Duhet të rriten dhe t'ia dalin vetë. Duhet karakter i fortë për të luajtur tek United, për fat të keq nuk ka më persona si Roy Keane e Bryan Robson, që t'i tregojnë rrugën ekipit. Tani të rinjtë fitojnë shifra të frikshme, mendojnë se ia kanë dalë mbanë në jetë dhe prindërit e tyre jetojnë falë parave që fitojnë fëmijët".

Një batutë edhe për merkaton: "Po kërkojmë një ose dy lojtarë. Varet edhe nga largimet, sepse nëse ikin lojtarë, duhen zëvendësuar patjetër".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit