Sormani: Humbje e rëndë në derbi, por duhet të ngrihemi sërish!

3 Mars 2020
14:24
Alfred Lleshi
back button

Do të mbahet mend gjatë humbja 5-1 në derbin e madh të kryeqytetit. Partizani shkon kokulur në sfidën e radhës, ndaj Teutës, që do ta luajë nesër në “Selman Stermasi”, prej orës 17:00. Kreu është më larg, titulli thuajse i pamundur, ndërsa Adolfo Sormani nuk ka ndryshuar asgjë, krahasuar me rezultatet e paraardhësit. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri italian i të kuqve pranoi se humbja ndaj Tiranës ishte e rëndë: “Është një situatë e vështirë, prej nga ku duhet të dalim. Morëm një goditje të fortë në derbi, pavarësisht asaj që dha skuadra në fushë. Gjithsesi, asgjë nuk kthehet mbrapsht. Duhet të shohim përpara. Rezultati nuk i përgjigjet aspak lojës. Të luash për 75 minuta me një lojtar më pak dhe të realizosh 10 goditje këndi, tregon se ke bërë një ndeshje të mire. Kjo na ndodhi në derbin e fundit.

Humbja 5-1 ishte goditje e madhe për moralin e skuadrës, por edhe objektivin titull. Tani, detyra jonë përballë klubit dhe tifozëve është që të japim gjithçka. Gabimet në mbrojtje? Nëse do të kisha një përgjigje, nuk do t’i bënim ato gabime. Jam dakord me konstatimin tuaj. Kemi gabimet tona, pavarësisht se çfarë prodhojnë kundërshtarët. Ndeshja e nesërme me Teutën? Sigurisht, është e vështirë, sikurse të tjerat. Vijmë nga një derbi zhgënjyes, që mund të ndikojë në aspektin psikologjik. Teuta ka lojtarë cilësorë dhe grup dinamik, prandaj do të jetë një ndeshje e fortë.

Formacioni? Do shohim gjendjen e të gjithëve, pastaj do të vendosim. Duhet të jemi konkrete dhe efikasë në rastet që na paraqiten. Brown në sulm? Më vjen keq që luajti pak në derbi. Po shfaqej mirë, por duhet të bëja një zgjedhje, se mbetëm me 10 lojtarë. Në aspektin e dinamizmit, Bardhi jep më shumë dhe e mbajta atë në fushë. Gjendja e Telushit? Sot është stërvitur dhe duket gati. Megjithatë, nesër do ta konfirmojmë nëse është 100%. Trashi? Po stërvitet në palestër, qysh dje. Dëmtimi i tij ka qenë i rëndë. Do të vazhdojë për disa ditë në palestër, gjendja e tij është nën monitorim. Po punojmë që të mos humbasë gjendjen fizike, që të kthehet në të njëjtin nivel si para dëmtimit.

Gjykimi? Nuk flas më për këtë çështje. Flasim për futboll. Nëse më pyesni për futboll, do të flas. Ndryshimi i stadiumit? Shpresojmë që me këtë zgjedhje të na ecë mbarë. Nuk është çështje tersi. Kemi luajtur mirë në “Air Albania Stadium”. Komentet e mia në dy ndeshjet e mëparshme janë komentuar si justifikim. E theksoj se nuk justifikohem. Jam marrë me pjesën se si menaxhohet ndeshja dhe jo me vendimet e gjyqtarëve.

Mala? Po punon mirë. E dimë që nuk është në gjendjen më të mirë, por ka një fizik që e kap shpejt ritmin. Do jetë i barabartë shumë shpejt me pjesën tjetër të grupit.
Besimi pas humbjes në derbi? Dua të sqaroj diçka për të gjithë: Presidenti është zotëri dhe kur të mos jetë i kënaqur mund të më thotë të iki nga skuadra dhe do të përshëndetem me të gjithë. Tani që flasim, ka zëra, por askush nuk e vë në dyshim atë që po shfaq skuadra. Po zhvillojmë ndeshje të mira. Marrëveshja ime është afatgjatë. Demi është largpamës dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin. Stadiumi që po bën e përforcon edhe më shumë këtë. Kjo tregon planet dhe objektivat që ka”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit