Sormani kërkon kohë: Kur erdha këtu, e gjeta Partizanin në depresion

15 Shkurt 2020
12:35
Alfred Lleshi
back button

U eliminua nga Kupa e Shqipërisë prej skuadrës së Kategorisë së Parë, Besëlidhjes, por Adolfo Sormani nuk e prish terezinë. Ai vijon të jetë optimist për Partizanin, duke thënë se skuadra vazhdon të rritet. Thjesht kërkon kohë. Pra, duket sikur flet në përgatitjet parasezonale, jo pasi është luajtur më shumë se gjysma e tij, me njërin kompeticion të “hedhur në erë”, me 7 pikë larg vendit të parë në klasifikim. Kampionët në fuqi do të sfidojnë Laçin në kuadrin e javës së 22-të të Superiores. Një kundërshtar i vështirë, që po ashtu u eliminua në mesjavë nga Kupa e Shqipërisë. Transferta kurbinase ka qenë e vështirë për këdo, ndaj të kuqtë nuk do ta gjejnë rrugën të shtruar me dafina nësër, prej orës 14:00. Sormani, në konferencën e sotme për shgtyp, nënvizoi:

“Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë nuk është një lajm aspak pozitiv. Megjithatë, nuk jam dakord që skuadra është në një moment të vështirë. I respektoj opinionet, por shoh nga një kënd ndryshe. Partizani është gjithmonë në rritje. Në tri ndeshjet e fundit kemi marrë 2 goditje në portë, ndaj mendoj se skuadra është në rrugën e duhur. Entuziasmi është i madh brenda grupit, e shoh dita-ditës. Po punohet shumë, lojtarët janë të ndërgjegjshëm dhe japin maksimumin në seancat stërvitore.

Transferta me Laçin? Të gjitha ndeshjet janë të vështira, për asnjë moment nuk kemi nënvlerësuar asnjërën prej tyre. Kam dëgjuar ankesa pse nuk kam aktivizuar disa prej titullarëve në ndeshjen e kthimit ndaj Besëlidhjes. Është thënë se e kemi nënvlerësuar këtë kundërshtar, por isha i detyruar. Kemi pasur probleme me lojtarët. Bardhi dhe Belica kanë qenë me temperaturë. Melo me Trashin nuk kanë qenë në kondicionin e duhur fizik, si rezultat i ndeshjes ndaj Flamurtarit. Çdo ndeshje unë e përgatis sikur të jetë finale. E dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër, ndaj një kundërshtari shumë agresiv. Jemi përgatitur edhe psikologjikisht, pasi e dimë mjaft mirë se çfarë na pret në Laç.
  
Situata aktuale në skuadër? Bardhi i është bashkuar me grupin gjatë seancës së djeshme, Belica ka dhënë shenja përmirësimi. Momentalisht që flasim, të gjithë lojtarët i kam në dispozicion. Ngërçi me sulmuesit? E vërtetë, tre golat ndaj besëlidhjes I shënoi një mesfushor, si Telushi. Sidoqoftë, unë e shikoj futbollin ndryshe, nuk më intereson kush shënon. Në tri ndeshjet e fundit kemi shënuar 8 gola. Ne sulmojmë si skuadër. Më intereson raste na shfaqen para portës kundërshtare. Skuadra po krijon mundësi, duhet të sulmojë e të mbrojë e tëra. Partizani është gjithmonë në rritje, shoh që sulmuesit lëvizin edhe pa top. Nuk më intereson nëse Trashi bën gol apo jo. Unë do të kënaqesha nëse Bardhi do të arrinte të gjente rrugën e golit, për vetë punën e madhe që po bën në skuadër, sikurse edhe Braun e Solomon. Kur punon shumë, derdh shumë djersë në stërvitje, edhe rezultatet do të vijnë.

Aspekti psikologjik? Ju patë një skuadër që luajti me pak agresivitet, intensitet dhe vendosmëri? Jo, mua nuk më duket ashtu, Partizani dha gjithçka në ndeshjen e Kupës. Psikologjikisht jemi në moment të mirë për ta përballuar ndeshjen e radhës. Eliminimi nuk i pëlqen askujt, por nuk mund të thuhet që skuadra nuk zhvilloi një ndeshje të mirë. Lojtarët e rinj luajtën me guxim dhe shumë dëshirë. Distanca me dy skuadrat e para të renditjes? Partizani e ka nisur sezonin me probleme, ndryshe nuk do të isha këtu. Dikush ka tentuar të ironizojë sa i përket modulit apo sistemit tim të lojës. Unë nuk fshihem kurrë dhe marr gjithë përgjegjësitë. Nuk kam kritikuar kurrë ata që kanë punuar më parë. Kam thënë që skuadra nuk kishte aftësinë fizike për të luajtur futbollin që dua unë. Janë pikëpamje të ndryshme, siç janë edhe ata të trajnerëve të tjerë.

Si për të gjithë gjërat në këtë jetë, koha është e nevojshme. Unë nuk shpik asgjë, thjesht punoj shumë. Nëse do të ndërtosh dhe të bësh diçka, nevojitet koha e duhur. E vetmja gjë negative, që gjeta këtu, ishte ambienti depresiv. Skuadra nuk kishte entuziasëm, as dëshirë për të menduar pozitivisht. Kjo është gjëja më e keqe dhe unë po punoj ta ndryshoj këtë gjë. Çinari nuk po shënon më gola? Çfarë të bëjmë. Na vjen keq, por po vrapon shumë, sakrifikon për skuadrën. Rëndësi ka që të fitojë skuadra, mund të shënojë gola edhe Hoxha.

Portieri i Bylisit ka shënuar më shumë se sulmuesit e Partizanit? Unë bëj punën time. Çdo ditë stërvitemi për t’u përmirësuar, këtë mund ta them. Mund të vini në stërvitje, jua siguroj këtë. Nëse dikush e sheh në mënyrë negative këtë situatë, besoj se do të ndryshojë mendim. Nuk presim që gjërat të përmirësohen në një ditë, por punojmë fort për ta arritur diçka të tillë”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit