Sormani: Nuk pranova të çoj lojtarët drejt kasaphanes, ju tregoj pse u ndava me Partizanin!

13 Korrik 2020
17:33
Eraldo Harlicaj
back button

Ish-trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, u largua zyrtarisht ditën e sotme nga ekipi i kuq. Largimi i tij u shoqërua me shumë fjalë dhe akuza, por tekniku italian dha një intervistë të gjatë për TuttomercatoWeb ku sqaron largimin e tij.

Largimi – “Situata është e thjeshtë, kemi pasur një ndarje konsensuale dhe nuk ka bëhet fjalë për shkarkim. Arsyet janë të thjeshta, në pikëpamjen time dhe nuk ishin kushtet e duhura për të garantuar sigurinë. Nuk po flas vetëm për sigurinë time dhe të bashkëpunëtorëve të mi, është një diskutim i përgjithshëm që shqetëson të gjithë njerëzit e përfshirë apo të lidhur me skuadrën, stërvitjet, ndeshjet”.

Futbollistë pozitivë – “Në ditët e fundit dy raste pozitivë me COVID-19 u zbuluan. Për këtë arsye i kërkova shoqërisë që sa më shpejt të bënte tamponët për të gjithë, para se të ktheheshim në stërvitje. Të enjten më datë nëntë, rezultatet ende nuk kishin dalë, por klubi na kërkoi të stërviteshim për ndeshjen e ditës tjetër ndaj Tiranës. Unë thashë jo sepse ishte një situatë që nuk mund të merret lehtësisht. Moralisht dhe nga ana etike nuk mund të merrja përsipër këtë përgjegjësi mbi skuadrën. Lojtarët, gjithsesi u stërvitën, por tamponët vetëm më vonë treguan se në skuadër ishin edhe tre të tjerë pozitivë, përfshirë edhe motrën e njërit prej futbollistëve”.

Si vazhdoi situata – “Për mua ishte e qartë se ajo situatë nuk ishte e përshtatshme. Në disa raste sporti vjen i dyti. Kur futbollistët e parë dolën pozitivë, fola me një virology Italian dhe ai më tha se duhej të ndaleshim menjëherë. Unë u vetëizolova prej datës tetë, por askush nuk ma imponoi. Për mua, nuk ishin kushtet për t’u stërvitur, imagjinoni pastaj për të luajtur një ndeshje”.

Derbi – “E kisha thënë që nuk do ta përgatisja ndeshjen derbi, nuk zgjodha që të çoj lojtarët e mi në një ‘kasaphane’. Detyra e një trajneri në një situatë kaq delikate shkon përtej fushave të blerta. Nga ai moment, u ula në tavolinë me drejtuesit e klubit dhe vendosëm të ndaheshim me konsensus. Nuk është në interesim tim që të shkaktoja polemika apo një luftë me klubin, kështu që zgjodhëm këtë rrugë. Ishte një situatë normale për ta, edhe Federata dha dritën jeshile për të luajtur takimin, pavarësisht gjithçkaje. Për mua, nuk duhej të ishte ashtu. Siç e thashë, në aspektin sportiv, janë disa momente ku shëndeti dhe siguria e lojtarëve duhet vendosur para çdo gjëje, pasi ndikohen dhe njerëzit rreth skuadrës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit