Sormani: Titulli është vendosur, vetëm nëse i bie të fikët Tiranës…

2 Qershor 2020
12:34
Alfred Lleshi
back button

Partizani do të rikthehet në fushë nesër, ashtu si skuadrat e tjera të Superiores. Në “Selman Stermasi”, të kuqtë do të presin Skënderbeun. Të dalë tashmë jashtë garës për trofe, titull kampion dhe Kupën e Shqipërisë, “demat” kanë revizionuar objektivat sezonalë. Ata duan të sigurojnë Kupat e Europës. Duke folur para sfidës së afërme me korçarët, trajneri Adolfo Sormani tha mes të tjerash: “Kampionati po rifillon në një moment të komplikuar nga Covid-19. Mbetet të shihet si do të reagojnë skuadrat.

Ka mjaft të panjohura, pasi diçka e tillë nuk na ka ndodhur asnjëherë më parë. Të rinisësh kështu, me pak stërvitje pa ndeshje miqësore, do të jetë me rrezik për të gjithë. Objektivat? Gjithçka ka ndryshuar, për mua është e vështirë të bëhen parashikime tashmë. Duhet të shohim gjendjen reale fizike, sepse dëmtimet sipas meje do të jenë të shumta. Duhet të mendojmë edhe për këto.

Ndeshja me Skënderbeun? Me siguri nuk do të ketë lojë me intenistet të lartë. Është e sigurt që lojtarët nuk e kanë ritmin e duhur, pas një ndalese kaq të gjatë. Pres një ndeshje me rivalitet, por duhet parë se çfarë do të ndodhë gjatë lojës. Një lojtar i Bylisit i infektuar? Të shpresojmë që të mos jetë e vërtetë dhe futbollisti të jetë mirë. Kalendari? Problem nuk është kalendari, pasi të duhet të luash kundër të gjithëve. Shqetësim përbën sjellja e skuadrës në ndeshje, në këtë situatë krejt të re.

Me siguri duam të rinisim kampionatin me fitore, ndaj Skënderbeut. Lojtarët kanë punuar shumë mirë nga shtëpia, kanë bërë maksimumin për të ruajtur formën. E përsëris, një ndërprerje e tillë nuk ka ndodhur më parë. Asnjë nuk mund të parashikojë atë që do të ndodhë. Do të ishte absurde të thuash që skuadra ime është në formë, pa zhvilluar disa miqësore dhe testuar situatën reale.

Objektivi ynë i mbetur? Duam të arrijmë Kupat e Europës, ky është minimumi. Çështja e titullit? Për mua është mbyllur, vetëm nëse i bie të fikët Tiranës. Natyrisht, Kukësi është afër dhe mund ta hapë garën për kreun. Duhen luajtur edhe 10 ndeshje, pra diskutohet edhe 30 pikë, që nuk janë pak. Në këtë sens duhet parë reagimi i Kukësit”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit