Sot, shorti i Champions-it. Të paevitueshme përballjet e gjigantëve

16 Dhjetor 2019
9:33
Alfred Lleshi
back button

Kemi arritur në ditën e së vërtetës. Këtë të hënë, në mesditë, do të hidhet shorti i raundit të radhës të Ligës së Kampionëve, i pari me eliminim direkt. 16 skuadrat më të mira të kontinentit, që e kanë prerë biletën për një “stacion” të tillë, do të presin me ankth verdiktin e goglave, që do të përzihen në Nyon të Zvicrës. Pasi të mësojnë kundërshtarët e radhës, të gjithë do të vazhdojnë të kultivojnë ëndrrën e madhe europiane.

Real Madridi, i cili e mbylli në vendin e dytë fazën e grupeve, ka gjasa të përballet me rivalë tepër të fortë, ashtu si Tottenham i Mourinho. Megjithatë, po flasim për 13 herë fituesit e këtij kompeticioni, rekordmenët në këtë drejtim, dhe nënkampionët e Europës në fuqi, kështu që, siç ka thënë trajneri portigez, asnjë nuk e uron përballjen me ta… Sa iu takon skuadrave italiane, Juventus, Napoli dhe Atalanta e Berat Djimsiti, situata është e tillë: bardhezinjtë do të shortohen si pjesë e vazos së parë, blutë dhe bergamaskët në të dytën, që do të thotë se goglat e Nyon, të paktën në letër, pritet të jenë pak më të ëmbla për “Zonjën e Vjetër”.

Pesë kundërshtarë të mundshëm për Juventusin janë: më i vështiri, pa dyshim, Real Madridi. Ndoshta edhe për të shmangur “kurthet britanike”, Tottenham e Chelsea, kundërshtarët më të përballueshëm të kampionëve italianë duken Borussia Dortmund dhe, mbi të gjitha, Lyon.

Diskurs i ndryshëm për Napolin, që, sa iu përket “kurtheve”, ka sikletin e përzgjedhjes së shortit. Frikë nga Barcelona dhe Manchester City, përtej PSG dhe Bayern Munich. Valencia dhe Leipzig janë alternativa “më të buta”. Lista e kundërshtarëve është praktikisht e ngjashme me ata të Atalantës. Ndryshimi i vetëm është prania e Liverpool në vend të Manchester City, tashmë i hasur në fazën e grupeve dhe për këtë arsye jo i tërheqshëm në shortin e këtij raundi, sipas rregullave. Kujtojmë se shorti nis të hidhet në orën 12:00.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit