Luciano Spalletti buzëqesh pas barazimit në Leverkusen ndaj Ukrainës, që i dha Italisë kualifikimin në “Euro 2024”: “Nuk ishte e lehtë, as e sigurt që do të kualifikoheshim, ashtu siç nuk është asgjë e tillë në futboll.
Bëmë një lojë të mirë, në pjesën e parë patëm shumë mundësi për të siguruar rezultatin, por duke mos arritur një gjë të tillë, ndeshja u bë më e pistë dhe më fizike. Ne nuk luajtëm më shumë futboll, ukrainasit treguan se janë të konsoliduar dhe na e bënë jetën të vështirë”.
Pjesën e fundit të ndeshjes, veçanërisht Spalletti e përjetoi me ankth të madh: “Vuajtje? Janë situata që i njoh shumë mirë, kam lindur dhe jam rritur me këto tensione. Hyra menjëherë në dhomat e zhveshjes për të përshëndetur bashkëpunëtorët, stafin dhe presidentin. Ne të gjithë u kujdesëm shumë për këtë rezultat. Tani vjen pjesa më e mirë…”
Në bilbilin e fundit, përqafimi më i ngrohtë ishte me Di Lorenco: “Kam kaluar momente të paharrueshme me të, për mua ai përfaqëson të gjithë qytetin e Napolit. Ne përjetuam dashurinë dhe pasionin që na dha qyteti, vitin e kaluar. Më pas festova me gjithë të tjerët. Herën e fundit kishim fituar Kampionatin Evropian, duhej të provonim se nuk ishte rastësi”.
Tani ka punë për të bërë në funksion të kompeticionit të verës: “Tani mund të argëtohemi, do të kemi kohë ta konsolidojmë ekipin kombëtar. Edhe unë si trajner do të kem më shumë njohuri”.