Starova debuton në “heshtje”, Laçi ndalet nga Flamurtari

17 Mars 2019
15:59
back button

Pas "dushit të ftohtë" nga Tirana në mesjavë për kupë Laçi vendosi të ndryshonte sërish trajner, duke i besuar eksperiencës së Sulejman Starovës për të rizgjuar një skuadër që në vitin 2019 ka humbur shumë nga shkëlqimi i saj.

Megjithatë, debutimi i Starovës nuk ka shkuar si shpresonin në Laç, sepse Flamurtari ka arritur të rrëmbejë një barazim 0-0, që në këtë moment natyrisht kënaq jashtëzakonisht vlonjatët e varfër.

Me një skuadër të gjymtuar nga largimet e shumta dhe me problemet financiare që mbeten si re e zezë mbi kokë, trajneri Ilir Daja ka bërë një tjetër mrekulli të vogël, ndaj një rivali që kërkonte patjetër kthimin te fitorja, për të rimarrë vendin e katërt dhe për të shtuar presionin mbi Teutën.

Në fakt, ishte një ndeshje që prodhoi pak futboll e raste, sepse Laçi ka kohë që nuk di të shënojë më, ndërsa Flamurtari bëri sa mundi me ata lojtarë që i kanë mbetur, ndërsa në stol ishin vetëm djem të rinj dhe me shumë pak minuta në Superiore.

Pjesa e parë ishte shumë e qetë në fushë dhe më shumë dëgjohej zëri i Starovës, që mundohej të orientonte të tijtë, ndërsa në pjesën e dytë ndeshja u bë më e hapur dhe rastet i patën të dyja palët për të rrëmbyer fitoren.

Fundi i ndeshjes ishte dramatik, sepse Laçi pati dy raste të pabesueshme: Toro fillimisht i vetëm me portierin gjuajti shumë keq, ndërsa më pas Koliçi u bë heroi i ndeshjes, me një pritje fantastike në shtesë. Kaq, një pikë për secilën palë dhe Flamurtari që merr frymë më qetë se Laçi, edhe pse është më poshtë në renditje.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25

E diel, më 17 mars 2019, ora 14:00

Laçi-Flamurtari                 0-0

Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eller, Lushkja, Najdenov (Çokaj 68′), Shtubina, Xhixha, Mane. (Në dispozicion: Sali, Domgjoni, Jonuzi, Mersinaj, Okpotu, Bushi). Trajner: Sulejman Starova

Flamurtari: Koliçi, Deliaj, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Mustafa, Rrapaj (Ziaj 90') Musta, Ribaj (Ymeraj 79′), Kale, Sukaj (Diamanti 66′). (Në dispozicion: Qirko, Beqaj, Haruni, Qarri). Trajner: Ilir Daja

Kartonë të verdhë: Najdenov 38′, Toro 65′ / Kotobelli 59′, Diamanti 74′

Gjyqtarë: Andi Koçi, Nuri Rrapaj, Mario Shazivari, Kridens Meta

Lajme të tjera

Lajmet e fundit