Starova: Dështim, ndeshja më e dobët në transfertë!

18 Maj 2019
18:59
back button

Trajneri i Laçit, Sulejman Starova, ishte shumë i zhgënjyer nga humbja e sotme në Vlorë, në një finale të vogël për Europën, edhe pse llogaritë bëhen lëmsh për shumë arsye. Në "Gol pas goli" në Supersport trajneri i njohur shfryu ndaj ekipit…

"Pësuam një gol të evitueshëm dhe kjo na e ndërlikoi lojën. Patëm disa mundësi për shënim, nuk i realizuam për faj të mungesës së cilësisë dhe disa lojtarë nuk ishin në lartësinë e duhur. Ishte një ndeshje ku kërkonim fitoren, ndaj një skuadre mjaft të mobilizuar, ndërsa ne nuk dhamë maksimumin në çdo drejtim. 

"Berisha pati një shans të mirë në fund, patëm edhe raste të mira në pjesën e parë, por Flamurtari u mbrojt me shumë forca dhe duhej një alternim loje nga krahët, pasimi i gjatë, lufta në ajër. Në asnjë drejtim nuk ishim ata të zakonshmit, si kemi qenë në transfertë. Me vjen keq, por kemi edhe dy ndeshje dhe në fund bëhet bilanci i kampionatit.

"Vendi i katërt vlen Europën, nëse përjashtohet edhe Flamurtari për probleme financiare? Nuk merrem me këto çështje, ne e duam vendin e katërt në mënyrë direkte. Kemi pasur mundësi të marrim pikë në disa ndeshje, si me Partizanin, apo edhe me Kukësin, pikë që do e ndryshonin renditjen. Kemi qenë aty-aty me rivalët, pak diferenca janë dhe kemi qenë edhe pak të pafat.

"Nënvlerësim ndaj Flamurtarit? Jo, vetëm kjo nuk qëndron. E dimë mirë çfarë ekipi ka Flamurtari, presionin e kanë më të vogël se ne dhe nuk kishte ç'të humbiste".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit