Starova: Meqë më quani trajner mbrojtës…

6 Prill 2019
18:10
back button

Sulejman Starova, trajneri i Laçit, komentoi në “Gol pas Goli” në Supersport fitoren e shkëlqyer kundër Teutës, duke polemizuar për kalendarin e ngjeshur, ndërkohë që ka bërë edhe humor, për faktin se në Shqipëri njihet si trajner që mendon më shumë për skemat mbrojtëse.

 “Nuk ka trajner që e mendon të lehtë ndeshjen. Teuta e nisi mirë, na detyruan të prisnim. Mbrojtëm në fillim, na dha një ndihmë të madhe gabimi që u bë. Kur gabohet skuadra mundohet të reagojë. Na rrezikuan edhe me një goditje këndi. Edhe pse shkoi 2-0, ata reaguan. Ishim me fat me golat që shënuam. Sigurisht na kënaq fitorja”.

“Kemi disa ndeshje që luajmë mirë. Meritonim të fitonim me Flamurtarin, reaguam edhe në Tiranë. Kemi pasur disa raste në pjesën e parë. Morëm një pikë për moral, ndaj një ekipi ndër më të mirët. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer në Kupë. Kjo tregon forcën. Kemi një kalendar rraskapitës. S’e kuptoj pse luajmë këtë të mërkurë, mund të luhej të mërkurën tjetër. Edhe këtë javë luajtëm mirë, kemi bërë tre ndeshje. Shpresoj të bëjmë maksimumin të rikuperojmë skuadrën për të mërkurën”.

“Laçi shquhet nga të gjithë për shpirtin e garës. Është klub me financa të mira, ka lojtarë që paguhen si ekipet e para. Pati një rënie dhe tani mendoj se jemi kthyer aty ku duhet”.

“8 gola në pak ditë? Meqë më thoni trajner mbrojtës, ju them se kam rekordin me Tiranën për golat e shënuar. Këtë mund ta thotë një njeri që nuk është specialist”.

“Ka një moment ku lojtarët e marrë në janar, nuk kanë formën e duhur. Mane dhe Okpotu i kanë dhënë skuadrës. Përveç peshës, Mane ka klas dhe e keni parë. Mesfusha është nga më të fortat. Kemi 4-5 lojtarë që luajnë për tre vende. Edhe mbrojtja ka cilësi. Normalisht ka edhe të meta dhe po punojmë t’i rregullojmë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit