Starova mohon penalltinë: “Nuk doja të prishja festën e Partizanit!”

27 Prill 2019
21:20

Sikurse në pankinë, edhe në konferencën për mediat, trajneri i Laçit, Sulejman Starvoa është shfaqur shumë neutral pas barazimit 1-1 të regjistruar në kryeqytet ndaj Partizanit.

Padyshim i ndikuar nga e kaluara e tij e kuqe, Starova ka pranuar emocionet dhe vështirësitë e tij personale në këtë duel, ndonëse ka mohuar penalltinë e dhënë në favor të të kuqëve: “Rastin e penalltisë e kanë parë më mirë kolegët në studio. Ishte faull jashtë zone”.

“E kam thënë që nuk ishte e lehtë. Fatmirësisht kjo nuk ishte ndeshja e kampionatit sepse do të ishte shumë e rëndë për mua nëse kjo do të kishte qenë ndeshja e kampionatit dhe të ishte ndalur prej nesh”, rrëfeu Starova. 

“Bëmë një ndeshje shumë të mirë, mund të kishim mundësi të shënonim edhe golin e dytë. Edhe Partizani bëri një ndeshje të mirë duke krijuar, ndonëse vetëm raste sporadike”, komentoi trajneri i Laçit.

“Ne erdhëm për të bërë një futboll të bukur dhe pse jo për të fituar. Duke luajtur kundër skuadrës më të mirë që udhëheq kampionatin, them se rrit vlerat e skuadrës dhe se bëmë një ndeshje dinjitoze”, vijoi Starova. 

“Laçi ka qenë një skuadër problematike për ekipet e tjera. Këtë gjë e parashikoi edhe Partizani, ndaj pjesën e parë nuk ndjemë presionin e kundërshtarit”, deklaroi trajneri i Laçit, Sulejman Starova.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit