Starova: Nuk jam më i mirë se Prenga, Partizani fiton kampionatin

17 Mars 2019
16:20
Eraldo Harlicaj
back button

Nuk e ka nisur me fitore aventurën e tij te skuadra e Laçit trajneri Sulejman Starova. Tekniku mori drejtimin e ekipit pas largimit të trajnerit Besnik Prenga. "Bobi" kishte mundësinë që të dilte nga fusha e lojës me 3 pikë, por në momentet e fundit, sulmuesit nuk u treguan të qetë para porte. 

Starti i duhur? – "Më pëlqeu loja, por jo rezultati. E kemi dominuar takimin, kemi lënë shpirtin në fushë dhe kishim raste. Laçi tregoi nga fillimi deri në fund për të luajtur përpara dhe të kërkojë fitoren është kompliment. Ekipi më dha përgjigje pozitive vetëm me dy seanca stërvitore. Pushimi na bën mirë tani". 

Aspekti psikologjik – "Nuk është problemi vetëm aty, pasi kishim mundësi të mira dhe me Tiranën. Presidenti dhe klubi kanë krijuar kushte fantastike, fusha e stërvitjes shumë e mirë, skuadra që grumbullohet. Pagesat janë në kohë dhe të kënaqshme. Kjo shton përgjegjësinë te lojtarët. Gabojmë, pasi duam të ja shpërblejmë presidentit dhe tifozët. E kam për nder që jam këtu dhe detyrim që të bëj më të mirën. Skuadra u përgjigj. U vendosëm mirë në ekuilibër dhe bëmë presion". 

Prenga – "Nuk jam trajner më i mirë se ai. Ka bagazh shumë të madh e njoh sepse ka qenë lojtar i shkëlqyer. Me këtë pushim kampionati ishte momenti i duhur që të ndryshohej trajneri. Një teknik i mërzitur nuk i shërben skuadrës". 

Grupi i lojtarëve – "Kësaj skuadre i mungon në aspektin defensiv Pjeshka dhe në ofensiv Berisha. Kam grup të mirë dhe mendoj se mund të bëjmë shumë mirë dhe të kapim objektivat tona". 

Titulli – “Partizani ka shansin të fitojë dhe t’i shkëputet Kukësit. Edhe nëse ndodh, nuk besoj se do e nënvlërësojnë. Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm dhe e ngre Partizanin. Për të mos thënë se po fitoi Partizani del kampion”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit