Start me fitore dhe emocione, Agolli: I lumtur për gjithçka, kam gjetur edhe shqiptarë!

2 Maj 2019
20:10
back button

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, tashmë luan në Amerikë, në National Premier Soccer League, me Neë York Cosmos, emër legjendar, por që tashmë është rindërtuar dhe synon të kthehet gradualisht në futbollin e madh.

Fundjavën e shkuar Cosmos nisi kampionatin dhe ishte start perfekt, sepse erdhi fitorja 2-0 ndaj New York Athletic Club, në shtëpi. Ishte një start perfekt edhe për Agollin, i cili luajti një ndeshje mjaft cilësore dhe faqja zyrtare e klubit i kushtoi një shkrim të gjatë pas ndeshjes.

Emocione para fillimit, siç e pranon vetë Agolli: "Isha paksa i emocionuar, sepse është një skuadër e re. Të luash për Cosmos është një përgjegjësi e madhe, për mua dhe gjithë ekipin. Isha i emocionuar para ndeshjes, ndërsa më pas në ndeshje gjithçka shkoi mirë. Jam shumë i lumtur për rezultatin dhe për lojën e mirë".

Edhe pse mbrojtës në letër, Agolli u soll si mesfushor, me depërtime dhe krose të rrezikshme në zonën kundërshtare, por duke mos lënë boshllëqe në prapavijë.

"Në futbollin modern, je i detyruar të bësh dy role njëkohësisht. Tani anësorët, sidomos ata të mbrojtjes, duhet të ndihmojnë shumë sulmin dhe të gjejnë kohën e duhur për të sulmuar. Varet edhe nga trajneri. Trajneri ynë e pëlqen lojën me anësorë që avancojnë shumë në sulm. I përshtatet stilit tim, kam luajtur edhe më parë kështu", u shpreh Agolli, i cili ka marrë komplimente nga trajneri Carlos Mendes.

"Ansi ka sjellë te ne goxha lojë sulmuese dhe ndihmon shumë në sulm. Është lojtar që të entuziazmon. Është ende duke u përshtatur, po njihet me grupin, sistemin dhe mënyrën si luajmë. Është një ndryshim i madh për të, mendoj se do përmirësohet nga java në javë. Ka eksperiencë të madhe, na ndihmon me zgjuarsinë dhe kreativitetin e tij. Lojtar i shkëlqyer".

Cosmos synon të kapë fazën play-off në korrik, por skuadra është ende në ndërtim e sipër, pasi 8 lojtarë kanë mbetur nga viti i shkuar. "Këtë radhë kemi bërë punë shumë të mirë, jemi stërvitur mirë. Nuk është e lehtë të marrësh maksimumin nga ndeshja e parë, sepse skuadra është e re. E kuptoj këtë gjë, duhet të punojmë shumë, sepse kemi shumë për të përmirësuar dhe sezoni është i gjatë", deklaroi Agolli, i cili tashmë ka marrë familjen me vete dhe pak nga pak po ambientohet, edhe për faktin se nisur të frekuentojë komunitetin shqiptar në Nju Jork.

"Kam krijuar disa lidhje dhe kam gjetur njerëz shumë interesantë. Kishte disa shqiptarë edhe në ndeshjen e parë, në stadium. Shpresoj që të jenë sa më të shumtë në vazhdim", tha Agolli, i cili ka pasur komplimente edhe për 3,750 tifozët e pranishëm në ndeshjen hapëse: "Diçka shumë e bukur. E dija edhe më parë që Cosmos ka tifozët e vet besnikë. Jo shumë ekipe kanë tifozë të tillë. Kam parë tifozë të jashtëzakonshëm, i falënderoj që erdhën".

MARRË NGA: nycosmos.com

Lajme të tjera

Lajmet e fundit