Starton SUPERIORJA / Kukësi “skuqet” në shtëpi, kampionët e nisin sezonin e ri me barazim

19 Gusht 2022
18:58
Alfred Lleshi
back button

Kampionati i 84-t kombëtar i futbollit, Kategoria Superiore, e ngriti sot siparin në stadiumin e ri të Kukësit. Skuadra vendase priti aty Tiranën kampione, ndaj së cilës e zhbllokoi rezultatin shumë shpejt, që në minutën e 3-të. Pasim i gjatë në thellësi për Daçin, i cili e kalon topin mbi kokën e Bekajt, që po dilte nga kuadrati bardheblu.

U duk se ofensiva e verilindorëve nuk do të ndalej, nisur edhe nga mbështetja e tifozëve, por kampionët në fuqi ditën të reagojnë dhe të krijojnë raste mjaft të volitshme për shënim. E pafalshme “huqja” e Kallakut, vetëm pak metra larg portës kuksiane, në një rast.

Pjesa e parë, gjithsesi u mbyll me avantazhin minimal të skuadrës së Gegës. Fraksioni i dytë është më kërkues për kryeqytetasit, që shtojnë përpjekjet në kërkim të barazimit. Duhej të vinte minuta e 56-të, që Xhixha të tundte rrjetën e portës vendëse. Rezultati barazohet 1-1.

Këtu duket sikur nis gjithçka nga “zero”, me skuadrat që nuk pajtohen me barazimin. Tensioni shtohet mes lojtarëve në fushë, aq sa kryesori Jorgji nxjerr me karton të kuq në minutën e 71-të. Autori i golit të Kukësit, Daçi me këmbë godet Isenin e shtrirë përtokë, një gjest antisportiv që nuk tolerohet.

Në inferioritet numerik, skuadra e Gegës del me vështirësi përpara, mendon më shumë të mos pësojë. Bardheblutë kanë epërsi loje në vijim, tentojnë me forcë për të gjetur golin e fitores, por nu kia del. Ndeshja hapëse e edicionit të ri të Superiores mbyllet kështu në barazim, duke ua lënë “skenën” sfidave të tjera në këtë fundjavë.

Kategoria Superiore, java e parë
19/08/2022
Kukësi-Tirana  1-1

20/08/2022
Erzeni-Vllaznia (17:00)

Partizani-Egnatia (19:30)

21/08/2022
Laçi-Teuta (17:00)

Bylis-Kastrioti (17:00)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit