Statistikat: Kukësi vrapoi pa fund në Hungari, Rrumbullaku e Limaj maratonomakët

14 Korrik 2019
17:34
back button

Humbja 3-0 kundër Debrecenit në Hungari ka depresionuar jo pak Kukësin, mbi të gjitha për faktin se ishte një rezultat gënjeshtar, që nuk pasqyroi atë çka skuadrat dhanë në fushë.

Për këdo që e pa ndeshjen, ishte e qartë që ndeshja mund të kishte përfunduar me rezultat krejt të ndryshëm, nëse episodet e veçanta do të favorizonin verilindorët, ndërkohë që Debreceni shënoi në gjithë rastet që krijoi, edhe vetë i befasuar nga aq shumë gola të shënuar në pjesën e dytë të një sfide ku po vuante shumë.

Përtej opinioneve, shifrat janë kokëforta dhe po ashtu statistikat kanë shumë rëndësi për të kuptuar atë që ndodhi në Hungari.

Kompania e specializuar e analizave statistikore Instatsport ka publikuar analizat e detajuara të ndeshjes mes Debrecenit e Kukësit dhe bie në sy detaje që nuk dallohen nga një shikues i zakonshëm, përtej të dhënave që dalin pas ndeshjes, si zotërimi i topit, ku Kukësi ishte superior (51%) apo gjuajtjet (9-8, 4-3 ato në kuadrat për Kukësin).

Nga analizat e Instatsport bie në sy së pari se Kukësi ka vrapuar pa fund, me një mesatare (pa portierin) prej10,5 km për futbollist. Krahasuar me Debrecenin, ndryshimi është fare i vogël, pasi hungarezët regjistruan 11 km për futbollist mesatarisht. Një ndeshje pa ndalesa e me ritëm shumë të lartë, ndoshta edhe kjo ndikoi në momentet e hutimit që çuan te golat e pësuar nga Kukësi, i mësuar me tjetër ritëm në Superiore.

Rekordi i ndeshjes i përkiste mesfushorit 22-vjeçar të Debrecenit, Attila Haris, i cili vrapoi thuajse 12 km. Të shkëlqyer edhe mbrojtësi Janos Ferenczi (11.8 km) dhe mesfushori hero i ndeshjes, Kevin Varga, 11.5 km dhe 2 gola të shënuar.

Në krahun tjetër, maratonomaku i Kukësit ishte Vesel Limaj, me 11,4 km të përshkuar gjatë 94 minutave në Hungari. Për rekord Eduard Rroca, i cili vrapoi 6 km vetëm në 45 minutat e para, duke qenë në nivelin e hungarezit Attila Haris, ndaj edhe trajneri Gjoka e zëvendësoi në minutën e 76-të, duke e parë që kishte vrapuar thuajse 10 km dhe ishte sforcuar jashtë mase (më shumë se 2.5 km me shpejtësi të lartë).

Impresionuese statistikat e Simo Rrumbullakut: 10,5 km të përshkuar, thuajse 3 km prej tyre me shpejtësi të lartë, mbi 4.5 metra për sekondë, ndërkohë që ishte shumë aktiv në gjithë krahun e majtë, duke ndihmuar edhe qendrën e mbrojtjes dhe mesfushës.

Thuajse në të njëjtin nivel edhe Limaj, i cili në krahasim me Rrumbullakun ka regjistruar më pak sprinte, duke qenë më i ngadaltë se mbrojtësi i majtë. Megjithatë, gjermano-shqiptari ishte i pranishëm për 90 minuta në mesfushë dhe në gjithë zonat para mbrojtjes dhe pas sulmit, duke qenë shumë i rëndësishëm për lojën e Kukësit. Thuajse në të njëjtin nivel edhe Musolli, që vrapoi 10.5 km dhe mbuloi shumë mirë mesin e fushës.

Një lojtar që Kukësi do ta vajtojë gjatë nëse e humbet këtë verë është Valdet Rama. Deri para pak kohësh thuhej që nuk është top fizikisht, por klasi i tij është i qartë. Në Hungari Rama ishte lojtari me më shumë cilësi në fushë, diçka e pritshme, por befasuese ishte puna e tij në aspektin fizik. 10.6 km të përshkuar, 2 km me shpejtësi të lartë, lëvizje pa fund në fushë, duke ndihmuar shumë edhe në fazën mbrojtëse.

Goxha punë kreu edhe Vasil Shkurtaj, sidomos në pjesën e parë, ashtu si Ethemi, ndërsa tre mbrojtësit Cuculi, Teqja e Kitanovski ishin të vetmit lojtarë që luajtën 90 minuta dhe regjistruan më pak se 10 km.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit