“Stërvitej tre herë në javë”, sekreti i Van der Sar: Të premten i bënin tre gjuajtje dhe…

24 Janar 2023
15:30
Denis Hakanaj
back button

Futbolli është një sport i çuditshëm. Dhe futbollistë që për disa skuadra dhe tifozeri janë legjenda të vërteta, në vende të tjerë konsiderohen një dështim. Një shembull? Edwin van der Sar.

Portieri holandez ka shkëlqyer në kohët e Ajax-it të Van Gaal, me të cilin ka fituar një Champions League në finale kundër Milan-it, duke e përsëritur atë sukses me fanellën e Manchester United.

Dhe si në Amsterdam Arena, ku tani ka një rol si drejtues, ashtu edhe në Old Trafford emri i tij është sinonim i cilësisë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për eksperiencën e tij tek Juventus, duke parë se në dy sezonet e tij të vetme me bardhezinjtë portieri ka qenë protagonist për keq i dy titujve që i shpëtuan nga duart skuadrës së Ancelotti-t…

Por është e pamundur të flitet keq për të në Mançhester. Kjo pavarësisht nga fakti se holandezi nuk ishte një nga ata që i përkushtohej shumë punës. Këtë e ka zbuluar një ish-shok skuadre dhe reparti, Ben Foster, duke folur për talkSport.

Anglezi ka shpjeguar se Van der Sar është një legjendë e Djajve të Kuq, por se kur bëhej fjalë për t’u stërvitur ai nuk ishte një nga më të lumturit në botë. Megjithatë…

“Nuk ka një portier në botë që mund të bëjë për Manchester United atë që ka bërë Edwin Van der Sar. Nëse ishte i nënvlerësuar? Absolutisht që po, madje shumë, për faktin se kur ka ardhur te Manchester United ishte në fundin e karrierës së tij, ishte 35 ose 36 vjeç”.

Ndoshta edhe Sir Alex Ferguson ka menduar ta përdorte për eksperiencën e tij dhe më pas ta zëvendësonte shumë shpejt për një më të mirë. Por holandezi ka qëndruar nga 2005 e deri në 2011, duke luajtur gjithmonë titullar, para se të tërhiqej dhe t’ia linte vendin De Gea-s. E gjitha kjo, siç ka shpjeguar Foster, me ritme shumë të ngadalta.

“Stërvitej ndoshta tre herë në javë. Dhe mbaj mend që ndonjëherë të premten zbriste në fushë, i bënin tre ose katër gjuajtje, ndoshta as që i priste, merrte topin, e shtrëngonte pak dhe i thoshte trajnerit të portierëve ‘ok, kam mbaruar’.

“Trajneri nuk e kishte problem dhe Edwin largohej. Por kjo ndodhte sepse e dinte se vetëm e shtuna kishte rëndësi, në kokën e tij ishte gati për ndeshjen dhe e dinte se çfarë duhej të bënte. Ishte i pabesueshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit