Stërvitje astronautësh, NASA i shkon në ndihmë yllit të Premier League

17 Janar 2019
12:39
Denis Hakanaj
back button

Tottenham ka kaluar nga shiu në breshër.

Humbja e pësuar kundër Manchester United është shoqëruar me largimin e Son në Kupën e Azisë dhe dëmtimin serioz të Harry Kane, i cili do të duhet të qëndrojë jashtë fushave për rreth dy muaj. Është e vështirë, madje e pamundur të gjendet një zëvendësues për sulmuesin anglez. Megjithatë, NASA mund të shkojë në ndihmë të Tottenham-it. 

Sipas "The Sun", lojtari është i vendosur të përshpejtojë kohën e rikuperimit. Kur ka kaluar më pak se një javë nga dëmtimi i pësuar kundër United, ka filluar të flitet që tani për një kthim të lojtarit te vrapi. Jo me një aparaturë të zakonshme, por me atë të ndërtuar nga NASA për të mbajtur në formë astronautët. 

Një mjet që eliminon pjesërisht forcën e rëndesës dhe bën të mundur që të vrapohet, duke pakësuar peshën mbi pjesën e prekur nga dëmtimi. Gjithsesi, shqetësimi i Tottenham mbetet i madh për shkak të historisë së Kane me kaviljet.  

Ai kundër Manchester United ka qenë dëmtimi i tretë serioz i pësuar në tre vite nga sulmuesi anglez në atë pjesë të trupit. Në dy rastet e mëparshme Kane ka përshpejtuar kohën e rikuperimit dhe është dëmtuar menjëherë më pas.

Qendërsulmuesi do të humbasë disa ndeshje të rëndësishme, siç është ndeshja e parë e 1/8-ve të Champions League kundër Borussia Dortmund. Shpresa e futbollistit (dhe Tottenham-it) është ajo që të mund të jetë në dispozicion për takimin e kthimit, që do të luhet më 5 mars. Një  objektiv i komplikuar dhe i rrezikshëm, por që Kane është i vendosur ta arrijë… me ndihmën e NASA-s.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit