Stërvitje dhe merkato, Kamza bën gati goditjen e fundit

15 Janar 2019
10:14
back button

Prej pak ditësh Kamza është spostuar në Durrës për minifazën përgatitore, në pamundësi për ta bërë diçka të tillë në Kamzë, ndërsa mundësia e transferimit jashtë Shqipërie nuk u mor në konsideratë.

Trajneri Ernest Gjoka ka pasur një periudhë mjaft të ngarkuar jo thjesht për sa i përket stërvitjes, por edhe riformatimit të skuadrës, që ka pësuar transformime të rëndësishme.

Largimi i Erlis Frashërit në mbrojtje do të kompensohet nga Hektor Idrizaj, i cili duket se është bllokuar përfundimisht dhe nuk do të lejohet të shkojë te Partizani, përtej dëshirës së vlonjatit. Kamza ka biseduar me Partizanin, i ka kërkuar lojtarë në shkëmbim, por më pas nuk është bërë asgjë.

Nëse me Idrizajn dhe italianin Bonanni krahët e mbrojtjes duken në rregull, problem është qendra, ku Teqja është garanci, por duhet një përforcim cilësor për të evituar përsëritjen e pjesës së parë të sezonit, kur shpesh mbrojtja u "arnua" dhe Bruno Arrabal linte mesfushën për t'u tërhequr pas. Klubi kamzali po punon pikërisht në këtë drejtim dhe brenda pak ditësh shpreson të përforcohet me ndonjë futbollist shqiptar, apo nga Maqedonia, pasi synimi është të mos shtohet numri i të huajve, me 6 të tillë në këtë moment, prej të cilëve vetëm 4 mund ta nisin nga minuta e parë.

Mesfusha është reparti më i kompletuar dhe Gjoka do të detyrohet të ulë në stol çdo javë lojtarë cilësorë, ndërsa në sulm përveç Plakut duket se do të jetë një duel i fortë mes të huajve Izazola e Martinena për një vend në formacion. Gjithnjë nëse Kamza nuk bën ndonjë goditje surprizë me ndonjë lojtar goli, pasi frika është e madhe që me sulmuesit aktualë shpresat për gol janë të varura vetëm te Plaku.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit