“Strakosha, hiqe maskën”; media italiane kërkon “origjinalin” e portierit

18 Nëntor 2019
11:00
Alfred Lleshi
back button

Cili është Thomas Strakosha i vërtetë? Portieri që shpëtoi Lazio kundër Lecce apo ai ndaj Cluj, ku me daljen e tij të gabuar iu dha golin e fitores rumunëve? Cilin të marrim për shembull? Këto janë pyetje të ditës në mediat italiane, duke pasur në fokus të analizës portierin shqiptar, që nuk luajti fare me kombëtaren kuqezi në dy kualifikueset e nëntorit. Sipas “tuttomercatoweb”, “kjo është edhe pyetja që i shqetëson shumë tifozët bardhekaltër. Ata do të dëshironin që Strakosha ta hiqte maskën për të kuptuar se cili është në të vërtetë. Një portier për Champions apo jo? Të dielën e kaluar, kundër salentinëve, ishte protagonist absolut. Pjesa më e madhe e meritave për tri pikët që mori Lazio, të mjaftueshme për vendin e 3-të në renditje, i shkojnë atij, autor i dy ndërhyrjeve fantastike. 

E para në trekëndësh, pas një goditjeje nga Babacar, ndërsa për kundërshtarët u shfaq “hipnotizues”  edhe më vonë. Skena u mor prej tij me forcë, pas një fillimi të sezonit, në të cilin pati shumë kritika. Disa të drejta, të tjerat jo të merituara. Disa njerëz janë treguar të njëanshëm me të, të tjerët konstruktivë në vlerësime. “Unë e di që kam një rol delikat në ekip, por kritikat që më bëjnë nuk më interesojnë. Nëse do të më duhej t’i dëgjoja të gjitha, nuk do të jetoja më. Unë vazhdoj rrugën time dhe bëj çmos për Lazio”, – shpjegoi një javë më parë portieri shqiptar.

Si çdo lojtar, ai ka bërë shumë gabime në këto vite. Njëri prej tyre e ndëshkoi ekipin e tij kombëtar, Shqipërinë, në ndeshjen kualifikuese me Turqinë, në fushën e kësaj të fundit. Një gabim serioz, që e minoi përfundimisht rrugën drejt “Euro 2020” të kombëtares së drejtuar prej trajnerit Reja. Në vend të kësaj, te Lazio nuk i kujtojmë gabimet makroskopike të Strakoshës, por gjithnjë situatat, për të cilat komenti ishte: mund të bënte më shumë. 

Në Glasgow, në barazimin 1-1, topi futet në qendër, por ai nuk mundi t’i “tërheqë këmbët”. Kundër Atalanta ishte i palëvizshëm në goditjen e dënimit të Muriel, e cila përshkoi të gjithë zonën. Në “San Siro”, krosi i Biraghi ishte i ngadaltë dhe i butë; mbi të gjitha në zonën e vogël, që është territor ajror për portierët. Dhe mund të vazhdojmë me këtë listë të rrethanave, ku Strakosha mund të kishte bërë më mirë.

Në një situatë të tillë, natyrshëm ngrihet pyetja: a e ka Lazio dhe trajneri Inzaghi një portier të denjë për Champions? Këtë sezon ka ardhur momenti i së vërtetës për të gjithë, edhe për portierin shqiptar. Pas 138 paraqitjeve me Lazio, plus 12 me Salernitana dhe 10 me kombëtaren e Shqipërisë, Strakosha duhet ta heqë maskën e tij dhe t’i bëjë të gjithë të kuptojnë se cili është; ai ndaj Cluj apo i së dielës së kaluar kundër Lecce”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit