Strakosha maratonomak, me Milanin në fatin e vet

23 Shkurt 2019
16:14
back button

Thomas Strakosha nuk njeh kurrë pushim: Milani, një finale e Kupës së Italisë në shënjestër, reagimi i Lazio-s, janë të gjitha shkëndija motivimi për portierin e kombëtares sonë.

23-vjeçari kuqezi nuk ka munguar asnjë minutë në 24 javë kampionati, ashtu si në dy ndeshjet e Kupës së Italisë, kundër Novara e Inter.

Vetëm në Europa League Strakosha ka lënë pak hapësirë për Silvio Proto, 35-vjeçarin belg që në karrierën e vet ka luajtur edhe në Champions League. 4 ndeshje në grupe për Proto, ndërsa kundër Sevilla-s ishte sërish në fushë Strakosha.

Gazzetta dello Sport ka analizuar momentin e portierit shqiptar, i cili është kthyer në një maratonomak, pa pushuar kurrë.

KRYQËZIME – Lazio-Udinese të dielën është shtyrë, ndaj Lazio e ka mendjen te Milani, të martën në mbrëmje, në Olimpico. Lazio kërkon të reagojë, tre humbje rresht janë shumë.

Milani oër Strakoshën është një kujtim i ëmbël, debutimi i tij me Lazio-n. Ishte 20 shtator 2016, kur në pak orë Strakosha kaloi nga portier i tretë në titullar në San Siro.

Marchetti i dëmtuar, Vargic jo i gatshëm dhe Simone Inzaghi guxoi, duke besuar te një portier i ri dhe i panjohur deri atë moment për shumicën e italianëve.

Izaghi e njihte mirë, e hodhi në fushë dhe nuk gaboi, sepse aty kthesa e Strakoshës mori kthesë të forta dhe shqiptari u bë titullar i paprekshëm, duke luajtur edhe një ndeshje të rëndësisë së veçantë, duke qenë edhe vendimtar për fitimin e Kupës së Italisë para dy vitesh.

Një rrugë e gjatë, që Strakosha shpreson ta ndjekë sërish, kundër Milanit, duke synuar të fshijë kujtimin e hidhur të para një viti, sepse më 28 shkurt 2018 Lazio u mund ndaj Milanit me penallti dhe nuk shkoi dot në finale. Strakosha e bëri detyrën, priti penalltitë e Rodriguez dhe Montolivo, por nuk mjaftoi. 

Krejt ndryshe këtë vit në San Siro, sepse Strakosha ndali Lautaron dhe Nainggolanin, duke eliminuar Interin në çerekfinale. Kupa është e shkruar në fatin e portierin tonë, sepse në moshën 18-vjeçare, në vitin 2013, ishte në stol kur Lazio mundi Roma-n në finale. Ka fituar një Kupë Italie me të rinjtë dhe ka fituar edhe një Superkupë, në 2017, kundër Juves.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit