Strakosha nuk flet, përgjigjen e jep me… Eminem!

18 Mars 2019
15:26
back button

Thomas Strakosha për herë të parë në karrierën e vet ka probleme disiplinore, ose të paktën kështu është motivuar lënia e tij jashtë Kombëtares shqiptare, për ndeshjet kundër Turqisë e Andorrës këtë muaj.

Portieri kuqezi luajti të dielën pasdite ndeshjen e kampionatit kundër Parmës dhe pas ndeshjes duhej të nisej për në Tiranë, por nuk ia doli mbanë të kapte fluturimin në kohë, ndaj kërkoi leje që të bashkohej një ditë më vonë me ekipin.

Trajneri Christian Panuçi e refuzoi diçka të tillë dhe e urdhëroi Strakoshën të mos nisej fare, duke mos pranuar shkelje të orarit.

Një situatë e sikletshme për Federatën Shqiptare të Futbollit, që nuk ka reaguar fare, ndërsa presidenti Armand Duka mesditën e së hënës deklaroi se aprovon vendimin e trajnerit, natyrisht duke mos dashur të shtojë tensionin në një moment kaq delikat.

Po vetë Strakosha? Asnjë fjalë, portieri kuqezi nuk ka qejf të flasë për mediat, sidomos në një moment të tillë, por një postim në Instagram paraditen e së hënës flet sa 1000 fjalë.

Strakosha ka postuar një foto ku shkruhet se po dëgjon këngën e reperit të famshëm Eminem, “Till i Collapse”, që në shqip përkthehet "Derisa të mos kem më forcë", shoqëruar me flamurin e kombëtares. Më qartë se kaq…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit