Bundesliga

Sulmi pa precedent ndaj medias, Bayern arrogant dhe hipokrit!

“Nuk e di nëse shkruani gjëra të mira apo të këqija”, tha të premten në mesditë Niko Kovac, duke biseduar me gazetarët para transfertës së Bayern-it në Wolfsburg. “Nuk e lexoj fare shtypin”.

Trajneri i Bayern-it ndoshta nuk i lexon gazetat, por shefat e tij në Säbener Strasse me sa duket i lexojnë me vëmendje – dhe nuk i pëlqejnë shkrimet.

Lajmërimi për një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku do merrnin pjesë shefi ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge, presidenti Uli Hoeness dhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic, të gjithë së bashku pas konferencës së trajnerit Kovac, krijoi habi. A do flisnin drejtuesit e lartë për krizën e ekipit bavarez? A ishte Kovac i sigurt për vazhdimësinë në stolin e Bayern-it?

“Të shohim çfarë do ndodhë”, tha Kovac duke buzëqeshur, ndërsa linte dhomën në dispozicion të shefave të tij. Ndoshta kroati e dinte çfarë do ndodhte.

ZJARR!

Ajo që ndodhi ishte një sulm pa precedent ndaj medias gjermane, me bosët e Bayern-it që gjëmuan kundër “fakteve false”, “të pavërtetave” dhe “raportimit pa respekt, ofendues dhe dizinformues” në lidhje me 28-herë kampionët e Gjermanisë, që aktualisht janë në vendin e gjashtë në Bundesligë.

Në fakt, mbulimi mediatik për Bayern-in – ashtu si për kombëtaren gjermane dhe trajnerin Joachim Löw – është vërtet me lajme sensacionale dhe shpesh të ekzagjeruara, në kërkim të lajmit të fortë sidomos kur ka krizë apo ndërprerje të kampionatit dhe nuk ka lajme.

Gjithsesi, sjellja ” pa respekt dhe ofenduese” të premten ishte vetëm nga Rummenigge e Hoeness, ndërsa Salihamidzic bënte gjithçka për t’u dukur edhe ai nervoz dhe i zemëruar.

KRIZA E BRENDSHME

“Sot është një ditë e rëndësishme, sepse klubi më i rëndësishëm në Gjermani të pozicionohet qartë”, tha Rummenigge. “Ju mund ta shijoni këtë rënie të Bayern-it, por ne nuk do të pranojmë më mbulim të tillë tallës nga gazetarët”, shtoi Hoeness.

Arroganca e këtyre deklaratave pompoze nuk duhet anashkaluar. Bayern mund të jetë klubi më i pasur, më i madhi dhe më i suksesshmi në Gjermani, si dhe një nga institucionet sportive më të famshme në botë, por ata nuk janë më të rëndësishmit, nuk janë të paqortueshëm dhe nuk janë mbi të tjerët.

“Dinjiteti njerëzor do të jetë i pacenueshëm”, predikoi Rummenigge, duke cituar edhe nenin 1 të kushtetutës gjermane, duke shtuar: “Nuk e di nëse kjo vlen edhe për futbollistët”, duke iu referuar kritikave ndaj Manuel Neuer, Mats Hummels e Jerome Boateng në javët e fundit.

Nëse Rummenigge do vazhdonte të lexonte, do gjente edhe një nen tjetër, nenin 5, që garanton “liri shtypi dhe liri raportimi… nuk lejohet censura”.

Më herët do të haste nenin 3, që premton se “askush nuk do të favorizohet në bazë të seksit, farefisnisë, racës, gjuhës, prejardhjes, besimit fetar apo opinioneve politike e fetare”, vlera që nuk respektohen shumë në Katar, aty ku Bayern-i shkon zakonisht për fazën përgatitore dimërore, ndërsa mban edhe logon e kompanisë ajrore të Katarit në krahët e fanellave.

Vetë Hoeness ndoshta nuk e respektoi kushtetutën në verë, kur sulmoi ashpër Mesut Özil, ndërkohë që 66-vjeçari ndoshta e di çfarë thonë nenet 105 dhe 106 të kushtetutës për taksat.

RREZIKU “FAKE NEWS”

E thënë shkurt, hipokrizia, arroganca dhe mungesa e objektivitetit të lë pa fjalë. Por ç’rëndësi ka? Është vetëm një lojë, fundja. Ndoshta nuk duhet ta marrim shumë seriozisht futbollin.

Megjithatë, futbolli është një fenomen social mbarëbotëror, rëndësia e të cilit bën që të fluturojë një industri prej miliarda dollarësh. Ndikimi, pasuria dhe pushteti i Bayern München është një provë sa i rëndësishëm është futbolli, ndërsa mesazhet e Rummenigge dhe Hoeness janë shumë të rrezikshëm, duke shkuar matanë futbollit.

Ideja se gazetaria e pavarur nuk duhet besuar dhe se gazetarët përhapin të pavërteta dhe fakte false, ndaj tani e tutje kanalet e Bayern-ut do japin informacion, është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme, në një shoqëri të dominuar Donald Trump, Brexit dhe populizmi i të djathtës.

Të gjitha termat që përdorën për mediat, ndoshta duheshin pasuruar me terma si arrogantë, të privilegjuar, hipokritë. Janë të gjithë terma që vlejnë për Rummenigge dhe Hoeness.

Opinion nga Matt Ford, Deutsche Welle

Më shumë nga Bundesliga