Sulmuesi i Teutës tregon tmerrin, shtëpia iu shemb para syve

29 Nëntor 2019
10:39
Eraldo Harlicaj
back button

Teuta është e prekur shumë nga tërmeti i fuqishëm që preku qytetin bregdetar. Futbollistët e klubit durrsak kanë kaluar momente paniku, pasi disa prej tyre kanë parë banesat t’i shembeshin në tokë. 

Darko Nikac ka treguar tmerrin e përjetuar në momentin që ra tërmeti. Sulmuesi malazez është nisur menjëherë për Podgoricë së bashku me familjen e tij dhe i ka marrë  leje klubit. Ai ka folur për gazetën malazeze “Dvevne” duke treguar përjetimet e tij. 

“Tërmeti i parë u ndje rreth orës dy pas mesnate, por nuk ishte i tmerrshëm. Kështu që u ktheva për të fjetur. Ai i orës katër u ndje shumë. Nuk e dija se çfarë po ndodhte në fillim. Ishte një katastrofë. Je i tronditur dhe sheh gjëra që bien, ndërkohë që ke gruan dhe fëmijën pranë. Mund të thuash që je në një situatë të pashpresë”. 

Nikac vazhdoi dhe më tej duke thënë se askush nuk e ka mendjen te futbolli në momente të tilla. “Në ato momente humbet besimin dhe je pafuqishëm. Të gjithë vraponin, pa marrë parasysh asgjë. Nuk kishte as energji elektrike. Ju nuk dini çfarë t’u thoni njerëzve, thjesht prisni. Sinqerisht, ua them që jam akoma i shokuar. Po të kisha qenë vetëm, do të ishte më e lehtë. Por me një grua dhe një fëmijë të vogël pranë, nuk mund të kujdesesh dot. U nisa direkt për Podgorice. I mora leje klubit, askush nuk mendon më për futboll, ndeshjet janë shtyrë”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit