Superforma e Real Madridit ka nisur… 600 ditë më parë

27 Shtator 2022
7:37
Alfred Lleshi
back button

40 ditët e fundit kanë parë Real Madridin të fitojë 9 ndeshje radhazi dhe të ruajë fillimin perfekt të sezonit 2022-2023. Megjithatë, skuadra nga kryeqyteti spanjoll është në superformë për gati 600 ditë tashmë. Kjo seri përfshin fundin e sezonit 2020-2021, të gjithë sezonin e kaluar dhe fillimin e sezonit aktual.

Që nga shkurti i vitit 2021, Real Madridi ka luajtur 89 ndeshje në të gjitha garat, me një rekord prej 63 fitoresh, 16 barazimesh dhe 10 humbjesh. Kjo do të thotë që “Los Blancos” kanë fituar 71 për qind të ndeshjeve të tyre në këtë periudhë.

Nëse fokusohemi vetëm në La Liga, kjo përqindje e fitoreve rritet në 73%; me 45 fitore, 13 barazime dhe 4 humbje në 62 ndeshje të luajtura. Me fjalë të tjera, Real Madridi ka fituar 148 pikë nga 186 të mundshme, me efikasitet 80%.

Kur krahasohet me 62 ndeshjet e fundit të Barcelonës dhe Atletico Madridit në La Liga, skuadra e Ancelotti ka marrë 20 pikë më shumë se rivalët katalanas dhe 31 pikë më shumë se kundërshtarët ndërqytetas.

Barcelona ka marrë 69 për qind të pikëve në dispozicion, ndërsa Atletico 62 për qind. Po pse po i konsiderojmë ndeshjet vetëm që nga shkurti 2021? Epo, sepse ky ishte momenti kur Real Madridi filloi të dilte nga kriza e fundit sportive, kur Zinedine Zidane pothuajse humbi punën.

Në janar të vitit 2021, Real Madridi u rrëzua nga Superkupa e Spanjës, Kupa e Mbretit dhe pësoi dështimin shokues në La Liga me Levante në shtëpi, duke mbetur 10 pikë prapa Atletico Madridit.

Pasi preku fundin, Real Madridi u rikthye. Katër muajt e fundit të sezonit 2020-2021 ishin të shkëlqyera. Të bardhët mundën Huesca më 6 shkurt dhe nuk humbën më në La Liga deri më 22 maj. Pra, Real Madridi siguroi 13 fitore dhe 5 barazime, duke luftuar për titullin deri në ndeshjen e fundit.

Në Ligën e Kampionëve arriti në gjysmëfinale kundër Chelsea, i cili i dha humbjen e vetme gjatë asaj periudhe. Në total: 16 fitore, 7 barazime dhe 1 humbje ishte rekordi i Real Madridit në katër muajt e fundit të sezonit 2020-2021, një rekord i jashtëzakonshëm që u dëmtua vetëm nga dështimi për të fituar qoftë edhe një trofe.

Real Madridi e mori atë formë në sezonin e kaluar me Carlo Ancelotti në stol. Të bardhët ishin të pakrahasueshëm në La Liga, e fituan titullin 4 ndeshje përpara finishit, me 26 fitore, 8 barazime dhe 4 humbje, duke grumbulluar 86 pikë nga 114 të mundshme (77 për qind).

Real Madridi fitoi tre nga katër titujt në lojë dhe e mbylli sezonin me 39 fitore, 8 barazime dhe 9 humbje në 56 ndeshje. Këtë sezon, skuadra e Ancelotti nuk e ka hequr këmbën nga gazi dhe mburret me një rekord të paprekur prej 9 fitoresh në 9 ndeshje.

Real Madridi tashmë ka siguruar Superkupën e Europës, aktualisht kryeson La Liga dhe grupin e vet në Ligën e Kampionëve. Skuadra fitoi edhe derbin e Madridit, duke mposhtur Atletico në “Wanda Metropolitano”. Ky fillim shkatërrues i sezonit konsolidon superformën e Real Madridit gjatë një viti e gjysmë të fundit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit