Superiorja nis me një “kurban”, ndodh e paimagjinueshmja te Luftëtari

23 Gusht 2019
9:56
Alfred Lleshi
back button

Futbolli shqiptar është “tokë pjellore” për çudira nga më të paimagjinueshmet. Sot starton sezoni i ri futbollistik përmes Superiores (Kukësi-Partizani), ndërkohë që po këtë të premte, një skuadër e kësaj kategorie mbetet pa trajner. Ose më mirë të themi, ndërron trajnerin. Fjala është për Luftëtarin, që nesër do të luajë ndeshjen e vet hapëse të kampionatit të ri kombëtar në “Selman Stermasi”, kundër Tiranës. 

Klevis Dalipi, që e mori skuadrën bluzi nga hiçi dhe zhvilloi stërvitjen e seleksionimet për 25 ditë, është larguar nga posti që mbante, sepse nuk ka rënë dakord për kontratën. Klubi gjirokastrit e ka gjetur zgjidhjen “brenda familjes”, duke ia besuar drejtimin e skuadrës Klodian Duros, që ishte drejtor sportiv. Pra, ish-futbollisti i kombëtares do t’i drejtojë bluzinjtë, që po mundohen të riorganizohen pas kalimit të “stafetës” nga ish-presidenti Grigor Tavo te drejtuesit e rinj. 

Lidhur me këtë situatë, administratori i klubit, Artan Lazaj, është shprehur: “Pa njoftuar askënd, Dalipi ka braktisur sot detyrën. Kemi folur mbrëmë me të për kontratën, i kemi dhënë një rrogë paradhënie, por nuk ramë dakord për një pikë. Teksa prisnim që sot të bisedonim sërish, trajneri është larguar. Nga ky moment, skuadrën do ta drejtojë Klodian Duro. Vazhdojmë punën për ta forcuar Luftëtarin, asgjë nuk ndryshon”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit