U luajtën dy ndeshjet e para të javës së 18-të të Superiores. Dy fitore të skuadrave vendase, edhe pse me “valenca” të ndryshme. Kështu, Bylisi ka kthyer me “këmbët në tokë” kuqeblutë e Mirel Josës, duke triumfuar ndaj tyre minimalisht.
Vllaznia vinte nga triumfi i bujshëm 4-1 ndaj kurbinasve, por u ka “ngecur sharra në gozhdë” në Ballsh, ku ka debutuar trajneri Shensoji, i rikthyer në këtë pozicion në “Adush Muça” në vend të Arian Bellajit. Këtë sfidë mjaft të luaftuar, me jo pak raste për të barazuar nga Vllaznia, e ka vendosur goli i Felipe Soza në minutën e 58-të.
Krejt ndryshe ka folur “derbi” i fqinjëve Laçi-Kastrioti. Kurbinasit kanë reaguar bindshëm pas disfatës së fundit në Shkodër, duke mos e mëshiruar kundërshtarin. Katër herë e kanë tundur rrjetën e krutanëve të besuarit e Mezanit, me autorë Shkurtaj 16′, Spahiu 31′, Adeleke 48′, Geci 90’+2′. Të ashtuqujturin gol të nderit për Kastriotin e ka realizuar Çela 81′.
Kujtojmë se Superioren e kryeson Tirana me 31 pikë për momentin, që në këtë “stacion” të garës duhet të sfidojë shijakasit debutues, në qytetin bregdetar. Dy ndeshjet e tjera të kësaj jave janë Partizani-Teuta dhe Egnatia-Kukësi, të cilat do të luhen nesër.