Superliga Europiane, sulm frontal ndaj UEFA-s: Kërcënoi Juven me 3 vite pezullim, provat i dërgojmë në gjykatë…

7 Qershor 2023
13:38
Alfred Lleshi
back button

Gatishmëria e Juventusit për t’u larguar nga Superlega ka tronditur A22, kompaninë tregtare të zhvillimit të sporteve, që konceptoi kompeticionin. Sipas asaj që ka mësuar “AS”, është gati masa ligjore ndaj UEFA-s, e cila konsiderohet fajtore se ka urdhëruar Juventusin të largohej nga Superliga me kërcënime dhe shtrëngime “për të cilat ka prova të pakundërshtueshme dhe të padyshimta”.

Këto prova do të paraqiten para gjyqtarit të Gjykatës Provinciale të Madridit dhe në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (Cgue). Kërcënimi, sërish sipas asaj që raporton “AS”, do të ishte përjashtimi i Juventusit nga kompeticionet evropiane për 3 vite nëse nuk do të braktiste Superligën.

Edhe pse klubet themeluese të projektit ruajnë të gjitha masat e mbrojtjes ligjore dhe të sigurisë, që e pengojnë UEFA-n të marrë masa ndaj tyre, si gjoba apo përjashtime nga kompeticionet europiane, UEFA i ka injoruar ato.

Superliga dhe A22, thuhet aty, “besojnë se Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, një institucion që meriton respektin maksimal, do të zgjidhë procedurën që po zhvillohet aktualisht, në mënyrë që klubet evropiane dhe futbolli në përgjithësi të mund të punojnë në paqe dhe liri”.

Nuk ka munguar edhe reagimi i Javier Tebas. Presidenti i La Liga-s, i cili ka qenë gjithmonë kundër Superligës, është tallur me situatën e krijuar pas njoftimit të Juventusit në një postim në Twitter: “I fundit mbyll derën dhe fik dritën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit