Surpriza, tenistja që s’kishte fituar asnjë ndeshje në grand slam shkon në gjysmëfinale

22 Janar 2019
10:48
Telesport
back button

Tenistja çeke Petra Kvitova dhe ajo amerikane Daniele Collins janë dy gjysmëfinalistet e para të grand slam të Australian Open për femra. Ato fituan sot në ndeshjet e para çerekfinale të luajtura në Melburn, ndërkohë që nesër do të mësohen edhe emrat e dy tenisteve të tjera gjysmëfinaliste. Kvitova dhe Collins është çifti i parë gjysmëfinalist.

Kvitova rikthehet pas 7 vitesh në gjysmëfinalen e grand slam të Australian Open, duke mundur në çerekfinale 2-0 tenisten australiane Ashleigh Barty (6-1, 6-4). Edhe pse kjo e fundit pati mbështetjen e fortë të publikut vendës, e pati të pamundur të triumfojë ndaj Kvitova, me më shumë përvojë në turne të tillë.

Në setin e parë fitorja ishte një formalitet për Kvitova, që fitoi me shumë lehtësi, ndërsa në të dytin Barty “zgjohet” dhe nis të duelojë. Gjithsesi, pas barazimit 4-4 është Kvitova ajo që shkëputet e fiton 6-4, duke u kualifikuar me meritë në gjysmëfinale.

Në ndeshjen tjetër çerekfinale, 25-vjeçarja Daniele Collins mundi 2-1 (2-6, 7-5, 6-1) rusen Anastasia Pavluchenkova. Edhe pse rusja e nisi mirë ndeshjen, duke fituar me lehtësi setin e parë, në të dytin erdhi përmbysja e Collins, që rriti ndjeshëm lojën e saj.

Në fakt, ky set ishte i fortë, vendosur në fund në favor të amerikanes, që më pas e pati të lehtë të nënshtrojë rivalen ruse. Seti i tretë nuk pati histori, pasi u dominua nga Collins, që për herë të parë në karrierën e saj kualifikohet në gjysmëfinalen e një grand slam.

Madje Collins nuk kishte fituar kurrë më parë ndonjë ndeshje në grand slam në pjesëmarrjet e mëparshme (gjithnjë ishte eliminuar në raundin e parë), para Australian Open 2019, duke qenë surpriza e këtij turneu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit