Sylvinho e nxori nga “pluhuri i harresës”, Sadiku premton të përsërisin suksesin e “Euro 2016”

9 Qershor 2023
13:04
Alfred Lleshi
back button

Është rikthyer në kombëtare pas më shumë se dy vitesh mungesë. Ndoshta ishte harruar, por trajneri Sylvinho mendoi se ka nevojë për golat e tij. Ndaj, befasia e listës së kuqezinjve për kualifikueset e qershorit ishte Armado Sadiku.

Njeriu që shënoi golin e vetëm dhe historik në fazën finale të “Euro 2016”, tashmë shpreson të jetë përcaktues në sfidat ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, më 17 dhe 20 qershor, nëse do të jetë në fushë. Në konferencën e sotme për shtyp, Sadiku do të shprehej ndër të tjera:

“Prisja që trajneri të më thërriste. Me ka marrë në telefon dhe kemi biseduar disa herë. Jam i kënaqur që u ktheva në kombëtare, kisha kohë që e prisja këtë moment. Kam gjetur djem të rinj në grumbullim, disa i kam takuar, por edhe të tjerët i njoh. Është krijuar një grup i mirë, ka cilësi. Jemi të gjithë për një qëllim. Ndihem shumë i kënaqur që jam pjesë e kombëtares dhe jap kontributin tim.

E ardhmja ime? Klubi aktual më ka propozuar të njëjtën kontratë që kisha, por kam kërkuar pak kohë, meqë jam pjesë e kombëtares. Kur të mbyllim ndeshjet e kombëtares, sepse kam edhe oferta të tjera, pastaj do të vendos.

Dy ndeshjet kualifikuese të radhës? Kemi grup cilësor lojtarësh. Vetëm të shohësh ku luajnë mesfushorët tanë, e kupton që kemi shumë kualitet. Ne duhet të jemi të vëmendshëm në çdo aksion, të shfrytëzojmë rastet dhe të shënojmë gola. Kundërshtarët tanë do të qëndrojnë në mbrojtje, ne sulmuesit kemi besim se do të shërbehemi si duhet nga mesfusha dhe të shënojmë.

A mund ta përsërisim suksesin e vitit 2016? Jam i bindur dhe kam besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk mendoj se sot ka ekipe të dobëta. Kam besim se do t’ia arrijmë, edhe më mbështetjen e tifozëve në shtëpinë tonë. Shpresoj ta përsëritim suksesin e vitit 2016.

Raporti me Sylvinho? Jam shumë i lumtur, më ka telefonuar, kemi biseduar dhe më ka thënë se do të jem i rëndësishëm. Unë do të jem në dispozicion të tij dhe këtë besim t’ia shpërblej në fushë.

Roli i tifozëve? Është e vërtetë që pa tifozët nuk do të shkonim në Evropian më 2016. Pa mbështetjen e tyre nuk do t’ia kishim dalë. Iu bëj thirrje që të na mbështesin, sepse kemi shumë nevojë për ta, do t’ua shpërblejmë dhe do ta kthejmë atmosferën e vitit 2016.

Konkurrenca në sulmin e kombëtares? Kjo na përmirëson, pastaj zgjedhjet i përkasin trajnerit. Duhet të jemi të gatshëm të japim maksimumin sa herë të na jepet mundësia”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit