Sylvinho nuk fshihet pas alibive: Duhet t’i fitojmë patjetër dy kualifikueset e qershorit

5 Qershor 2023
12:57
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i kombëtares Sylvinho ka dalë në konferencë për shtyp në “inaugurim” të grumbullimit për dy kualifikueset e qershorit. Kujtojmë se kuqezinjtë tanë do të presin Moldavinë më 17 qershor, pastaj do të jenë mysafirë të Ishujve Faroe. Dy sfida të lehta në letër, por që kërkojnë angazhim maksimal, sepse futbolli i sotëm mbart shumë surpriza. Për trajnerin brazilian dhe stafin e tij do të jetë debutim në “Arena Kombëtare”, para tifozërisë shqiptare, pasi e bëri “sefte” në Poloni, ku e nisëm me humbje.

Si vijnë lojtarët në këtë grumbullim?
Është një moment disi i vështirë. Kemi folur me të gjithë lojtarët për të kuptuar situatën e tyre me çdo klub. Lojtarët që do të vijnë duhet të jenë 100% gati për të dhënë maksimumin. Do të duhet ta menaxhojmë sa më mirë grupin dhe intensitetin. Për këtë arsye kemi zgjedhur 26 lojtarë.

Keni bërë një tur me ndihmësit e tuaj, tashmë e njihni më mirë kombëtaren…
Pyetja është e drejtë, njohim më shumë lojtarë dhe më mirë. Nuk është e lehtë, por unë jam i kënaqur me lojtarët që kam. Kemi një skuadër të re, por edhe me përvojë, që mund të bëjnë shumë mirë në dy ndeshjet e ardhshme. Tani e njoh më mirë skuadrën.

Më shumë se të bëjmë mirë duhet t’i t’i fitojmë këto dy ndeshje? Sa shanse kemi?
Duam t’i fitojmë ndeshjet dhe të bëjmë paraqitje të mirë. Kur luan mirë ke më shumë shanse për të fituar. Kemi shtatë ndeshje, shtatë finale, pra kemi një rrugë të gjatë përpara. Duhet të fitojmë dhe të mbledhim sa më shumë pikë. Për momentin mendoj vetëm për Moldavinë. Ne kemi shumë dëshirë për t’u kualifikuar. Kemi një skuadër të mirë dhe unë në të vërtetë besoj. Jam i bindur se me 17 qershor, kur të debutoj në Shqipëri, do të jetë atmosferë e zjarrtë dhe do të fitojmë.

Ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe a do të bëjmë një lojë më sulmuese, pasi keni grumbulluar Muçin dhe Sadikun?
Sigurisht që lista është për dy ndeshje. Muçi po bën shumë mirë, është trekuartist, kërkon hapësirat dhe shënon. Me meritë është këtu, sepse është në formë. Sadiku rikthehet në kombëtare, unë kam folur me të. Është një futbollist që shënon, shumë i rrezikshëm brenda zonës, një simbol për kombëtaren. Jam i kënaqur me të dy. Kemi grumbulluar 26 lojtarë për këto dy ndeshje, Gjasula është mungesë e rëndësishme. Kemi zgjedhur lojtarë të rinj dhe me eksperiencë. Jam i kënaqur, pasi i njoh lojtarët më mirë se para ndeshjes me Poloninë. Kemi një grup shumë të mirë dhe me kualitet dhe mund të bëjnë gjëra të mëdha.

Çfarë prisni në dy kualifikueset e qershorit?
Është e rëndësishme të bëjmë lojë të bukur dhe të marrim 3 pikët. Kam fol me lojtarët dhe ua kam bërë të ditur se ndeshja nuk fitohet me një momet, por duhet të luftohet deri në fund. Duhet të fitojmë patjetër me Moldavinë, më pas mendojmë për sfidat e tjera. Unë jam i bindur për lojtarët, ekipin dhe lojën që do të bëjmë.

Pse mungon Odise Roshi?
Patjetër që Roshi është shumë i rëndësishëm për kombëtaren. Nëse nuk është tani me ne, nuk do të thotë që nuk është në planet tona. Në shtator do të jetë përsëri. Këtë herë iu kam dhënë përparësi disa lojtarëve të tjerë.

Problemi me skuadrat e vogla, si mund ta zgjidhim?
Ne kemi shumë ndeshje përpara dhe iu them shpesh lojtarëve se nuk ka ekipe të lehta, të gjtha janë njësoj. Ne do të luajmë ndaj çdo rivali me 100% tonë. Nuk ka rëndësi ku do të luajmë, në shtëpi apo tarnsfertë. Është punë e trajnerit t’i menaxhojë siç duhet këto skuadra. Ne nuk quhemi skuadër e vogël, është një ndeshje e vështirë ndaj Moldavisë, pasi akoma nuk ka humbur. Ne do të gjejmë mundësitë për të çarë mbrojtjen kundërshtare dhe për të shënuar. Gjasula mungon dhe do të ketë një ndryshim në manovrat e lojës.

Kush do të zëvendësojë Gjasulën?
Nuk ka ndryshime në listë, prandaj kam marrë 27 lojtarë dhe me largimin e Gjasulës mbetemi 26. Kam një mesazh për Kumbullën, që u dëmtua. Mendoj se na mungon një lojtar si ai. I uroj shërim të shpejtë dhe rikthim në fushë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit