Sylvinho reklamon Shqipërinë në mediat braziliane: Shqipja, gjuha më e vështirë në botë. Duam kualifikimin në Europian

25 Shkurt 2023
9:21
Alfred Lleshi
back button

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi në janar se kishte arritur marrëveshje për ta pasur Sylvinhon si trajner të kombëtares shqiptare, madje e prezantoi me bujë atë. Po si përfundoi braziliani në stolin e kuqezinjve, i cili kishte si detyrë të fundit drejtimin e Corinthians? Shqipëria, një kombëtare europiane, zë vendin e 66-të në renditjen e FIFA-s dhe është duke ëndërruar të luajë për herë të parë në Kupën e Botës.

Ishte një biznesmen evropian, që e njihte Sylvinhon, personi përgjegjës për të krijuar kontaktin e parë mes federatës dhe trajnerit. Ky ndërmjetës e kërkoi trajnerin në fund të vitit të kaluar dhe foli për mundësinë e drejtimit të kombëtares ballkanike.

Trajneri ishte i emocionuar për idenë dhe më pas u hapën negociatat. Fillimisht ai foli me zyrtarët shqiptarë me telefon. Më pas pati një takim të parë kokë më kokë në Milano, Itali. Një takim i dytë, në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, vulosi marrëveshjen.

Drejtuesit e kombëtares së Shqipërisë donin një profesionist të ri, me “ide të reja” dhe me pak ose aspak varësi ndaj punës së tij, siç mësoi “Estadão”. Sylvinho është 48 vjeç dhe ka pak përvojë si trajner.

Ai ka drejtuar vetëm Lyon dhe Corinthians, por ka fituar përvojë të rëndësishme si asistent. Në këtë rol, ai punoi me italianin Roberto Mancini tek Interi dhe me Tite te Corinthians e kombëtaren braziliane.

Shqiptarët i konsiderojnë të rëndësishme edhe njohuritë e marra prej tij si lojtar. Sylvinho e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Evropë dhe pati mundësinë të drejtohej nga trajnerë të mëdhenj si Pep Guardiola, të luante me yje si Lionel Messi.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përmendur madje yllin argjentinas, kampion bote në Katar, në konferencën për shtyp të prezantimit të trajnerit brazilian. Pasi u zbulua nga Corinthians, ish-mbrojtësi i majtë luajti me Celta Vigo dhe Barcelonën në Spanjë, me Arsenalin dhe Manchester City në Premier League. Me “citiziens” doli në pension.

Sylvinho ka qenë entuziast për idenë që kur mori propozimin, sepse beson se ka pak për të humbur me Shqipërinë, një ekip që objektiv kryesor afatshkurtër ka kualifikimin në “Euro 2024”, i cili do të luhet në Gjermani. Nëse trajneri e çon kombëtaren ballkanike në kompeticionin më të rëndësishëm në kontinent, ai do të jetë i barabartë me arritjen e vitit 2016.

“Shumë njerëz në botën e futbollit më thanë se ky projekt shqiptar do të ishte i mirë për të ecur përpara. Kjo më dha shtysë për të marrë vendimin tim, – tha trajneri në italisht. – Më bëri shumë përshtypje disponimi dhe ambienti rreth kombëtares”.

Kontrata është 18-mujore dhe përkon me përfundimin e Europianit. Shpërblimi i trajnerit dhe komisionit të tij teknik është i lidhur me rezultatet. Sylvinho ndihmohet nga braziliani Doriva dhe argjentinasi Pablo Zabaleta.

Faza kualifikuese e turneut evropian do të luhet në datat e FIFA-s, në muajt mars dhe nëntor të këtij viti. Kualifikuesit do të garojnë në garën midis 14 qershorit dhe 14 korrikut 2024, në Gjermani. Shqipëria është në Grupin E, së bashku me Poloninë, Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë. Debutimi i Sylvinhos është planifikuar për më 27 mars, kundër polakëve, jashtë shtëpisë.

Kombëtarja e Shqipërisë ka pak rëndësi në skenën evropiane dhe botërore. Nga ana tjetër, qëllimet janë modeste dhe presioni i ulët. Prandaj braziliani do të gjejë qetësi për të punuar, diçka që i mungonte në krye të Corinthians, nga i cili u shkarkua në shkurt të vitit të kaluar pas një pengese kundër Santos në shtëpi.

Vitin e kaluar, disa klube braziliane, si Ceará dhe Goiás, u konsultuan me Sylvinhon, por ai nuk donte të fillonte një punë të re me një pjesë të mirë të sezonit në vazhdim. Ai gjithashtu duhej të fliste me një ekip nga Shtetet e Bashkuara.

Rikthimi për të jetuar në Evropë është diçka që e ka kënaqur edhe Sylvinhon, pasi do të jetë pranë familjes. Gruaja dhe djali i tij Thiago jetojnë në Porto, Portugali, ndërsa vajza e tij Tatiane, jeton në Madrid, Spanjë. Është pak më shumë se tri orë fluturim nga Tirana në kryeqytetin spanjoll.

Deklaratat e Sylvinho për “Estado”:
“Kur pranova ofertën e Shqipërisë, e dija mjaft mirë që synimi i tyre ishte një trajner i huaj. Qëllimi kryesor është të kualifikohemi në ‘Euro 2024’. Kam udhëtuar në vitet e fundit qoftë në Brazil, Japoni, Australi apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

M’u deshën pesë vite për përfundimin e kursit të UEFA-s. Kam humbur pushime të rëndësishme. Ne brazilianët jemi trajnerë të mirë, që dimë të punojmë, jemi premtues dhe pa dyshim duam kohën tonë. Unë jam i lumtur që jam mes tyre.

Gjuha shqipe është një nga më të vështirat e botës. Ndryshe nga sa thonë njerëzit, puna këtu në Shqipëri nuk mungon. Merremi me shumë analiza, përmbledhje, klipe lojtarësh nga 90 minuta prej secilit prej 30 futbollistëve të mundshëm që do të thirren.

Së paku 7 futbollistë do të thirren nga Serie A. Nga tri udhëtimet e rëndësishme, dy ishin drejt Italisë. Të tjerët luajnë në Angli, Spanjë, Turqi dhe Greqi. Unë ndjek dhe kampionatin vendas teksa kemi vënë re 2-3 futbollistë të rinj me shumë talent për të qenë pjesë e jona.

Do të jem i drejtpërdrejtë me ju, kam besim se mund të kualifikohemi në Evropian, pasi grupi është vërtetë i balancuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit