Sylvinho rrëfehet në “Eurosport”, zbulon sekretet e Shqipërisë së tij: Lojtarëve iu flas me zemër, i shoh në sy

24 Nëntor 2023
12:23
Alfred Lleshi
back button

Shqipëria rikthehet në Kampionatin Evropian të Futbollit 8 vite pas herës së fundit dhe e bën këtë përmes kreut të grupit të saj kualifikues. Pas festës së madhe të këtij suksesi, tashmë nis puna për përfaqësimin sa më dinjitoz në fazën finale të “Euro 2024”, që do të luhet në Gjermani.

Sylvinho është “deus ex machina” e mrekullisë kuqezi. Trajnerit brazilian iu dha pasaporta shqiptare së fundi, si shenjë mirënjohjeje për punën e bërë. Duke folur për “Eurosport”, Sylvinho shpjegon disa nga sekretet e tij .

“Është një ëndërr për mua. Nëse dikush do të më thoshte një apo dy vite më parë: A do të shkosh te Shqipëria? Do t’i thoja pse, nuk e di. Pra, ajo që dua të them është se kur je trajner, ose edhe lojtar, çdo gjë të ndodh shumë shpejt. Preferoj ta përjetoj sa më gjatë këtë moment. Synimi ynë, ëndrra jonë është ta përgatisim ekipin për 6-7 muajt e ardhshëm.

Unë besoj shumë të marrëdhënia me lojtarët. E kam thënë edhe më herët, është ndryshe kur në mes futet një përkthyes, është ndryshe kur flet me zemër, kur i sheh në sy lojtarët. Është shumë e rëndësishme gjithashtu të flasësh me lojtarë të caktuar, por më e rëndësishmja është zemra dhe shpirti që ke në skuadër.

Pa këto nuk mund të luash. Mund të jesh një lojtar i madh, mund të jesh një lojtar ndryshe, por nëse nuk ke frymën, shpirtin e grupit, nuk mund ta arrish objektivin tënd. Futbolli nuk është një lojë individuale, është një lojë ekipore”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit