Takaj: Të tjerët do të ishin dorëzuar. UEFA na pushkatoi pa prova!

8 Gusht 2019
11:59
Alfred Lleshi
back button

Ardian Takaj ndihet disi i çliruar, që ka vënë në krye të Skënderbeut një “maestro”, i cili e ka treguar veten me kuqebardhët. Në prezantimin e Ilir Dajës, presidenti i klubit juglindor i është përgjigjur interesimit të gazetarëve. Pyetjet kanë qenë të shumta, sepse mjaft delikate është situata e skuadrës që financon, e dënuar përfundimisht me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës dhe e gjobitur me 1 milion euro.  

Ilir Daja – “Me zhvillimet e fundit, nuk besoj se rekordit të Dajës do t’i afrohet kush. E morëm Dajën për seriozitetin dhe provat që ka dhënë në futbollin shqiptar, edhe me ekipin e Skënderbeut. Ka qenë një bisedë shumë e gjatë, sepse asnjë trajner s’do të ishte komod te Skënderbeu në këtë moment. Edhe kësaj here besoj se do t’ia dalim për ato objektiva që i kemi vënë vetes.

Pjesëmarrje apo trofe – “Ne jemi Skënderbeu i 10 viteve të fundit, me sukseset të mëdha. Nuk fitohet kampionatet në studio, por në fushat e lojës. Ne duhet të ecim në rrugën e Skënderbeut të dekadës së fundit, jo të kemi projekt inferiorësh. Duhet të jemi rivalë për kampionatin. Skënderbeun nuk mund ta hidhja në rrugë me një të rënë të lapsit. Në rast se do të ikte Skënderbeu, do të ikja dhe unë”.

Titulli kampion – “Nuk është titulli objektiv, por nuk do t’i shmangemi rivalitetit për këtë. Duhet të jemi Skënderbeu, që kemi parë vitet e fundit”.

Ndryshimet – “Këtë sezon duhet të bëjmë shumë ndryshime. Kemi pak eksperiencë dhe shumë të rinj. Me këto probleme që ka kaluar Skënderbeu, çdo ekip tjetër do të ishte dorëzuar. Ne nuk kemi qenë komodë për të ecur në rrugën e viteve të shkuara, kemi patur shumë dilemma, sepse nuk ishte dënim, por pushkatim. Vetëm jetën na kanë lënë, racizëm i pastër. Kjo nuk ka të bëjë me dënimet, sepse në asnjë rregullore të URFA-s, pa asnjë provë, nuk parashikohet një masakër e tillë. Ne e dimë që në një periudhë të tillë nuk mund të bësh merkato shumë cilësore. Skënderbeu do të përballet i denjë me të gjitha skuadrat”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit