Takimi mes Ligës dhe Ministrisë së Financave, flet Libohova: Një hap para, por s’ka marrëveshje

20 Tetor 2020
13:37
Alfred Lleshi
back button

U zhvillua takimi mes Ligës Profesioniste të futbollit dhe Ministrisë së Financave. Aty u diskutua mbi kërkesat e klubeve të Superiores, mosplotësimi i të cilave ka shkaktuar bojkotin e sezonit të ri futbollistik kombëtar. Presidenti i Ligës, Edvin Libohova, tha para mediave:

“Jemi një hap pranë zgjidhjes. Problemet që u diskutuan ishin në 2 pjesë. Në 3 pikat më pak të rëndësishme, për të cilat gjetëm gjuhën e përbashkët, do të ketë një prononcim së shpejti nga Ministria e Financave. Ndërkohë, për Ligjin e Sponsorizimit, që është dhe “thembra e Akilit” e gjithë kësaj situate, debatuam duke propozuar dhe gjetur atë që do të jetë më e mirë. Ditën e premte do të kemi një përgjigje përfundimtare për një zgjidhje, e cila do të pranohet edhe nga komuniteti i sportit dhe futbollit për të filluar një epokë të re.

Futbolli do të fillojë mbasi ne të kemi një përgjigje, e cila do të kënaqë kërkesat tona. Nuk mund të them që do të fillojë këtë javë apo javën tjetër. Nuk morëm asnjë propozim nga ministrja, vetëm diskutime. Nuk ka një variant të miratuar. Në tavolinë janë 2 variante, ai ekzistues dhe ai i propozuar nga ne. Ekspertët bashkë me ministren po diskutojnë se cili nga variantet kënaq ekzigjencat tona. Këmbëngulim te varianti ynë. Do të presim deri ditën e premte për të marrë një përgjigje. Akoma nuk ka dakortësi. Nuk është e kollajtë, negociatat zgjatin. Variantet ministria do t’ia propozojë kryeministrit. Përgjigjen përfundimtare e presim nga kryeministri”.

Pas takimit, Fidel Ylli, neogociatori i qeverisë, deklaroi: “90 për qind e kërkesave janë të realizueshme, flasim për tre pikat. Çështja është te Ligji i Sponsorizimit. Duhet gjetur modaliteti më i përshtatshëm, që vlen për një periudhë sa më të gjatë. Te pjesa e faljes së gjobave nga tatimet, duhet bërë një ligj i përbashkët për të gjitha bizneset. Pikat e përcaktuara nga Ministria e Financave do të dorëzohen te kryeministri për miratimin final”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit