Tani është zyrtare! Pochettino merr drejtimin e Chelsea, ja detajet e kontratës

29 Maj 2023
14:31
Alfred Lleshi
back button

Argjentinasi 51-vjeçar, i cili rikthehet në Premier League pas periudhave të mëparshme në krye të Tottenham dhe Southampton, pason në eksperiencën e radhës si trajner Graham Potter, i cili u shkarkua në fillim të prillit, pas më pak se shtatë muajsh në krye të bluve të Londrës.

Frank Lampard, i cili udhëhoqi Chelsea si trajner kujdestar deri në fund të sezonit, pas shkarkimit të Potter, është larguar nga klubi. Jesus Perez, Miguel d’Agostino, Toni Jimenez dhe Sebastiano Pochettino do të jenë pjesë e stafit teknik të Pochettino në “Stamford Bridge”.

Drejtorët e tjerë sportivë të Chelsea, Laurence Stewart dhe Paul Winstanley, thanë për këtë zgjedhje: “Përvoja, standardet e përsosmërisë, cilësitë e lidershipit dhe karakteri i Mauricio do t’i shërbejnë mirë klubit të futbollit të Chelsea, ndërsa ne ecim përpara.

Ai është një trajner fitues, i cili ka punuar në nivelet më të larta, në liga dhe gjuhë të shumta. Bagazhi i tij, qasja taktike dhe përkushtimi ndaj zhvillimit e bënë atë një kandidat të jashtëzakonshëm”.

Pronarët Todd Boehly, Behdad Eghbali, Jose E.Feliciano, Mark Walter dhe Hansjorg Wyss shtuan: “Ekipi sportiv kreu një proces të zellshëm dhe të menduar, për të cilin bordi është krenar. Ne jemi të kënaqur që Mauricio do t’i bashkohet Chelsea. Ai është një trajner i klasit botëror, me rekorde të jashtëzakonshme. Të gjithë mezi presim ta kemi atë në bord”.

“Sky Sports” kupton se Pochettino ishte zgjedhja e parë unanime e bordit dhe klubit londinez. Klubi kreu një proces shterues, por donte të fliste me ish-trajnerin e Tottenhamit që në fillim. Pavarësisht se shpenzoi 600 milionë stërlina në dy sesionet e fundit të transferimeve, Chelsea përfundoi në vendin e 12-të të Premier League. Kjo ishte hera e parë që përfundonte në gjysmën e dytë të renditjes për 27 vite.

Blutë e mbyllën sezonin pa trofe dhe nuk do të luajnë në Evropë sezonin e ardhshëm. Pochettino kishte mbetur pa punë që kur u shkarkua nga PSG verën e kaluar, pas 18 muajsh në krye të skuadrës franceze, duke i udhëhequr ata drejt titullit të Ligue 1 më 2022 dhe Kupës së Francës një vit më parë.

Ish-trajneri i Espanyol drejtoi “Spurs” për pesë vite, nga maji 2014, pas një periudhe 18-mujore në stolin e Southampton. Pochettino nuk ishte në gjendje t’i jepte fund pritjes së gjatë të “Spurs” për një trofe, por i çoi ata në finalen e Ligës së Kampionëve 2019, të cilën e humbën ndaj Liverpool-it.

Pochettino gjithashtu i çoi “Spurs” në finalen e Kupës së Ligës 2015 dhe në vendin e dytë të Premier League në sezonin 2016-2017, me Chelsea që i fitoi të dyja garat. Saktësojmë se argjentinasi do ta marrë drejtimin e bluve të Londrës për sezonin 2023-2024 dhe do të nënshkruajë deri në vitin 2025, me opsionin që Chelsea t’ia zgjasë bashkëpunimin deri më 2026.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit