Tare rrëfehet: E shkuara, kërcënimet dhe e tashmja e kopshtarit që u bë mbreti i Serisë A

31 Dhjetor 2018
15:00
back button

Igli Tare mbetet një ndër personazhet më interesante të futbollit italian dhe mediat e kërkojnë çdo javë, për të zbuluar lajmet e fundit edhe nga merkatoja e Lazio-s, sepse ish-sulmuesi kuqezi është arkitekti i Lazio-s, që blen lojtarë, i rrit dhe i shet shumëfish. 

Gianluca Di Marzio i Sky Sport e ka intervistuar drejtorin sportiv të Lazio-s, i cili ka folur për gjithçka, duke nisur nga prapaskenat e merkatos, me Milinkovic-Savic në fokus, apo problemet e ndryshme në postin e drejtorit. 

"I çmendur, mendova", tregon Tare, kur i kujtohet propozimi i presidentit Lotito për të marrë rolin e drejtuesit në 2009 pas ndarjes nga futbolli i luajtur, ndarje që në fakt nuk ishte planifikuar, sepse Tare priste të rinovonte te Lazio si futbollist, kontratë 1+1.

Organizimi i punës: "Unë dërgoj ndonjë ish-futbollist që ka luajtur me mua, vëzhgon lojtarë dhe kam besim, sepse shokët e mi e dinë çfarë është e rëndësishme për mua te një futbollist. Lotito në fillim merrte pjesë në çdo tratativë, tani ndërhyn vetëm kur ka probleme ekonomike". 

Tiparet e futbollistit të duhur: "Shoh aspektin fizik, teknikën dhe gjuhën e trupit, që është thelbësore në fushë. Ka shumë detaje të vogla që bëjnë diferencën.

Emigracioni: "U largova nga Shqipëria pa dokumente, duke kaluar kufirin derisa mbërrita në Gjermani. Nuk më vjen turp për këtë. Kisha një ëndërr që doja ta realizoja, tani mund të them që jam një shembull për shumë të rinj. Isha i vetëm, udhëtimi ishte plot frikë, vështirësi e pikëpyetje. Tani ngjan si film, duhej të kisha besim te trafikantët që mundësuan kalimin mes Çekisë e Gjermanisë. 

Gjermani, futboll dhe punë si kopshtar: "Shkova në Gjermani, nisa të kontaktoj klube për t'u provuar dhe kështu ndodhi te Ludwigshafen, që më dha mundësinë të stërvitesha me ta. Duke mos pasur mundësi të mëdha financiare, me propozuan të bëja edhe një punë shtesë. 

Dëmtimi absurd: "Një kolegu im po punonte me motosharrë dhe nuk e pati mendjen, më goditi në këmbë. Pata fat, sepse më hoqi gati 3 milimetra kockë, ishte një moment shumë i vështirë". 

Momentet kur ka menduar largimin: "Po, ka pasur momente të tilla, duke menduar edhe për familjen. Nuk është problemi tek unë, por kemi marrë edhe kërcënime me vdekje, drejtuar familjes, gruas, fëmijëve, gjëra që nuk mund të rrëfehen. Ato kanë qenë momentet kur kam menduar a ia vlente të vazhdoja. Ka pasur momente që kam pasur frikë për familjen time. Gjithsesi, brenda meje kam menduar se nuk do dorëzohesha kurrë, sepse kam punuar gjithnjë me zemër për klubin dhe vlera e kësaj pune do dilte në pah herët e vonë. Falë Zotit, kështu ndodhi". 

Hernanes: "Kur shitëm Hernanes, ishte moment shumë i shëmtuar, eksperiencë mjaft negative. Pas atij momenti një pjesë e imja vdiq, preka anën e shëmtuar të futbollit". 

Milinkovic-Savic: "Kur e mora, isha i sigurt që do vinte te Lazio. Donin ta shisnin diku tjetër, por ai e kishte vendosur që do vinte te ne dhe më tha të rrija i qetë. I jam mirënjohës përgjithmonë, sepse pak futbollistë e bëjnë diçka të tillë". 

Tifozët: "Nuk e di çfarë duhet të presin më shumë, por e di që jetojnë të tashmen dhe duan suksese. Rinovova për 4 vite, duke refuzuar oferta shumë joshëse nga klube të nivelit botëror, edhe në Itali, sepse jam i lidhur ngushtë me Lazio-n. Zgjedhjet i bëj me zemër dhe vendosa ta dëgjoj, duke qëndruar te Lazio".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit