Tatimet dhe hetimi i UEFA-s, Luftëtari nuk ka më “oksigjen ekonomik”!

27 Dhjetor 2018
12:01
Anton Cicani
back button

Sikur të mos mjaftonin rrogat e prapambetura, pakënaqësitë brenda grupit, por edhe largimet e yjeve (Rroca dhe Shkurtaj vetëm të parët në një listë që pritet të pasurohet), te Luftëtari ka edhe një tjetër problem. 

Arkëtimet nga pjesëmarrja në Kupat e Europës, në këtë edicion (2018-2019), janë ngrirë. Bëhet fjalë për 240 mijë euro që janë fituar nga turi i parë i Europa League. Gjirokastritët u eliminuan përballë lituanezëve të Ventspils, duke pësuar tetë gola në dy ndeshje (humbje 5-0 në transfertë dhe barazim 3-3 në Elbasan). Pikërisht kjo ndeshje është nën lupën e hetuesve të UEFA-s, që kanë marrë sinjalizim nga sistemi i monitorimit të basteve, BFDS. 

Ndeshja në "Elbasan Arena", që u mbyll 3-3, ishte groteske për nga mëyra se si shkoi dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re. Madje, që në atë kohë, u përfol se do të përfundonte në rrjetën e hetimit për trukim apo manipulim rezultati për qëllime përfitimesh në baste.

Tashmë, pa këto para, klubi e ka edhe më të vështirë të sigurojë oksigjenin financiar. Edhe pse drejtuesit kanë premtuar likuidim rrogash, kjo gjë nuk ka ndodhur ende, ndërsa për futbollistët kanë nisur zyrtarisht pushimet.

Pushime të mallkuara për klubin, që tashmë duhet të përgjigjet edhe te tatimet, pasi nuk ka shlyer detyrimet e sigurimeve shoqërore. Kështu, drejtoria e tatimeve në Gjirokastër ka vendosur që t'i mbajë 50% të xhiros ditore klubit.

Nga shiu në breshër, te Luftëtari tashmë janë futur në një qorrsokak.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit