Taulanti mbron Granitin: Nuk vërshëllehen lojtarët e tu, sjellje e turpshme!

16 Dhjetor 2019
11:44
Alfred Lleshi
back button

Taulant Xhaka ka folur për “Blick”, ku është pyetur mbi shumë gjëra. Sigurisht, si pjesë e FC Basel (FCB), futbollisti shqiptar kërkon maksimumin aty, në nivel ekipor, mbi të gjitha. Si vëllai një vit më i madh i Granitit, mesfushori ynë kuqezi ka pasur disa këshilla për ish-kapitenin e Arsenalit, i cili u përfshi në një sherr verbal publik me tifozët. Për pasojë, humbi shiritin e kapitenit dhe nuk po luan më rregullisht te “Topçinjtë”. Për të gjitha këto, Taulanti dha këtë intervistë:

FCB e mbylli në vendin e parë fazën e grupeve të Ligës së Europës, pasi mundi Trabzonspor. A keni preference për shortin e së hënës?
Nëse luajmë si në këtë periudhë, mund të mposhtim çdo kundërshtar.

Dueli kundër vëllait tuaj, Granitit, është i pamundur, sepse edhe Arsenali e kryesoi grupin e vet…
Kjo do të kishte qenë diçka shumë e veçantë, natyrisht, por mbase do të takohemi në raundet e mëtejme (qesh).

Thuhej që Graniti do të largohej nga Arsenali në dimër, pas rrëmujës me tifozët. Si i përjetuat tërë ato gjëra?
As që e vura re në fillim. Dikush më dërgoi videon e acarimit të vëllait, gjatë zëvendësimit, dhe mendova se ishte dëmtuar. Unë mendoj se ishte e turpshme, sepse nuk mund t’i vërshëllesh lojtarët e tu, edhe nëse ata kanë pasur një ditë të keqe.

Graniti, gjithashtu, i ka provokuar tifozët…
Kjo që thoni nuk është e saktë. Në një moment kontestimi si ai, gjithkujt i shfaqen emocionet dhe nuk mendon me kthjelltësi. Ai më pas kërkoi falje. Kam folur me të shumë herë gjatë kësaj kohe. Nuk ishte e lehtë për të, u gjend nën një presion tepër të madh e të padrejtë.

Çfarë i këshilluat të bënte?
Unë i thashë të përmbahet, sepse gjithmonë do të ketë tifozë që të vërshëllejnë. Ky është futbolli.

A janë pritshmëritë karshi Granitit në Londër shumë të larta?
Duhet të ketë diçka, që lidhet me faktin e të qenurit kapiten. Graniti thotë atë që mendon menjëherë. Unë i thashë që duhej t’i kuptonte tifozët, sepse, në fund të fundit, rezultatet e Arsenalit nuk janë të mira.

Unai Emery, që tashmë u shkarkua nga Arsenai, a e la Granitin të pambrojtur në atë moment?
Ju nuk mund të fajësoni gjithmonë trainerin. Në fund të fundit, duhet të performoni vetë në fushë. Graniti është një lojtar, që jep gjithmonë gjithçka, pavarësisht se ku luan. Edhe me Gladbach nuk e kishte të lehtë në fillim, pastaj u bë një nga mesfushorët më të mirë në Bundesligë.

Asnjëherë nuk keni luajtur jashtë vendit. Nuk ke frikë se do të humbasësh diçka?
Do të bëhem baba për tre muaj, kështu që është e qartë për mua që nuk dua të ndryshoj më mjedis dhe klub. Ende kam një kontratë 2-vjeçare me FCB, por nëse klubi dëshiron të rinovojë me mua, do të nënshkruaj menjëherë.

Sa e rëndësishme do të ishte t’i bëje pushimet si kampion dimëror?
Kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që ne ishim në gjendje ta ngushtonim hendekun ndaj YB në duelin direkt. Ishte diçka e mirë për të gjithë futbollin zviceran.

Një vit më parë, FCB ishte 19 pikë pas YB, tani gara e kampionatit është më e hapur se kurrë. Pse është kështu?
Qetësia është kthyer. Ne donim ta fshinim gjithçka jo të mirë të sezonit të kaluar, por nuk është edhe aq e lehtë. Kemi lexuar ato që shkruheshin për klubin në media, kemi qenë nën presion. Tani jemi plotësisht të përqendruar dhe kemi angazhim maksimal.

Marcel Koller duket se ka gjetur recetën e duhur…
Trajneri na vendosi shumë mirë në fitoren 3-0 kundër YB. Ishim taktikisht të shkëlqyer. YB mund të ketë pasur katër shanse, por nuk bëri pothuajse asgjë.

Edon Zhegrova është një lojtar, që deri më tani nuk ka luajtur rregullisht. Pse ky fillim befasues?
Edon luftoi në fillim për të ndarë argëtimin dhe seriozitetin. Sidoqoftë, na ndihmon shumë me driblimin e tij, me cilësitë që ka. Ai e di se ende mund të përmirësohet, veçanërisht në fazën mbrojtëse. Nuk kemi pse të flasim në mënyrë agresive për klasin e tij. Nëse e ka topin në këmbë, diçka ndodh.

Një tjetër ndeshje kundër Luzern, pastaj nisni pushimet. Ku do t’i kaloni Krishtlindjet?
Ne do të fluturojmë për në Dubai, sepse atje është ngrohtë. Pastaj, për katër ditë do të shkojmë te Graniti, në Londër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit