Sezoni i ri, të njëjtat probleme te Bayern Munich. Bavarezët, të cilët pësuan 45 gola Bundesligën e kaluar, krahasuar me 24 gola të kampionëve të Bayer Leverkusen, debutuan ndaj Wolfsburg me fitore 3-2, megjithëse ngritën përsëri shumë dyshime në prapavijë.
Sacha Boey, duke e nisur si mbrojtës i djathtë për shkak të dëmtimit të fundit të Stanisic, asistoi Musiala në golin e parë të bavarezëve, por shkaktoi penalltinë që solli barazimin 1-1. Nëse dikush ra në sy për keq, ai ishte edhe Kim Min-jae. Koreano-jugori, që formoi duetin qendror të mbrojtjes me Upamecano, dështoi keq në golin e dytë të vendasve. Dhe tashmë është vënë në shënjestër të kritikave.
Në vitin e tij të parë me Bayern Munich, niveli i Kim ishte shumë larg asaj që tregoi te Napoli, ku u emërua mbrojtësi më i mirë i Serie A (2022-2023), me titullin kampion të fituar. “Nuk është e mundur që ai të luajë si te Napoli. Në nivelin mbrojtës, Kim luajti shumë ndryshe atje”, – shkroi Lothar Matthäus në rubrikën e tij për “Sky Sports”.
Ish-lojtari i Bayernit, kampion bote (1990) dhe kampion i Europës (1980) me kombëtaren gjermane, gjykon më tej: “Mbrojtja është dhe vazhdon të jetë ‘thembra e Akilit’ të Bayernit. Drejtuesit e klubit shitën De Ligt, edhe pse ai ishte mbrojtësi më i qëndrueshëm i sezonit të të fundit. Ai ishte lider i mbrojtjes bavareze. Tashmë, Bayerni është në kërkim të një pasardhësi të holandezit, duket vërtet patetike”.