Fenerbahçe do të luajë sonte kundër Lille në Champions League, në raundin e tretë eliminator, me shpresën që të kalojë këtë pengesë dhe të marrë pjesë në fazën e grupeve të turneut më të rëndësishëm kontinental.
Duke folur për këtë sfidë, trajneri José Mourinho foli për objektivat e Fenerbahce: “Klubi nuk më tha kurrë se Champions ishte një domosdoshmëri. Do të ishte mirë nëse do të luanim aty, për prestigjin e klubit, të futbollit turk dhe në fund për prestigjin e vetë lojtarëve”.
“Nëse më pyesni a mund ta fitojmë Champions League, gjithçka është e mundur, por unë nuk besoj mrekullitë. Nëse më pyesni nëse mund ta fitojmë Europa League, po, ne mundemi. Nëse më pyesni nëse duam të luajmë në Champions apo në Europa League do të thosha në Champions League”, tha Mourinho.
Gjithsesi, trajneri portugez po përballet me disa pengesa: “Kemi një dëmtim të rëndësishëm, atë të Fred. Lojtarët që kanë ardhur më vonë në ekip po përmirësojnë gjendjen e tyre fizike. Pas ndeshjes kundër Luganos jemi përgatitur shumë mirë, jemi gati për ndeshjen e sotme”.
“Do të doja të flisja turqisht, pyes veten për çfarë flasin njerëzit në TV dhe çfarë shkruajnë në rrjetet sociale. Ndoshta për tregun e transferimeve apo thashetheme të ndryshme. Fred nuk do të jetë atje nesër, por ne kemi lojtarë të tjerë. Kur një lojtar lëndohet, kjo hap një sërë mundësish për lojtarët e tjerë”, tha Mourinho.
“Lojtarët që luajnë japin gjithçka, ashtu siç bëjnë në stërvitje. Jam i qetë, duhet të fokusohem te lojtarët që kam. Nëse një lojtar i ri vjen para afatit të transferimit, unë them “mirë se erdhët”. Shpresat? Kam besim te vetja, e di që lojtarët që kam do të bëjnë më të mirën”, tha Jose Mourinho.