Mesfushori francez Eduardo Camavinga, është gati për të nisur sezonin e ri në Champions League me skuadrën e Real Madrid. Skuadra spanjolle do të luajë të mërkurën ndaj Union Berlin në Gjermani.
“Të luash Champions League me Real është diçka përrallore, sidomos kur dëgjon himnin e këtij turneu. Të gjithë duan ta fitojnë këtë turne, por Real e dëshiron mbi të gjithë, pasi ky është turneu i tij. Ndaj jam shumë i emocionuar kur luaj këtu”, tha 20-vjeçari francez.
“Kemi një ekip të ri në moshë, por të gjithë të rinjtë po japin më shumë krahasuar me vjet. Mes nesh kemi edhe dy legjenda që na këshillojnë dhe janë mes nesh për të na përmirësuar. Për mua, të luaj me Modric dhe Kroos është një kënaqësi, i admiroj dhe mësoj prej tyre. Mendoj vetëm si të përmirësohem”, tha Camavinga.
Duke folur për sfidën ndaj Union Berlin, mesfushori tha: “Është një skuadër që luan me shumë forcë dhe intensitet në fushë. Di që ndeshja ndaj tyre do të jetë shumë e ndërlikuar, por jemi gati”.