Të rifillojë apo jo Serie A? Lotito bën sherr me drejtorin e Interit

26 Mars 2020
9:24
Alfred Lleshi
back button

Sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë është të bësh një parashikim për rifillimin e kampionatit italian të futbollit. Në të vërtetë, pyetja e përsëritur mes videokonferencave të presidentëve të Serie A ka qenë kjo: a ia vlen të fillojmë përsëri?

Epo, siç raportohet nga “Corriere della Sera”, janë të paktën dy blloqe të ndryshme në Serie A për fatin e këtij sezoni, siç dëshmohet nga diskutimet më të fundit midis presidentëve. Njëri bllok dëshiron të rifillojë me çdo kusht, tjetri të ndalojë gjithçka dhe të ngrijë renditjen aktuale.

Ndër presidentët që duan të kthehen të luajnë, herët a vonë, më aktivi është padyshim Claudio Lotito i Lazio. Në videokonferencën e fundit të Ligës, ai debatoi me drejtorin e përgjithshëm të Interit, Giuseppe Marotta: “Ty ç’të duhet, i përzure krejt lojtarët…”

Marotta u përgjigj, duke përsëritur se zgjedhjet e Interit nuk duhet të jenë një arsye për diskutim nga klubet e tjera. Ndërkohë, sot është në rend dite një takim midis ligave europiane për kalendarët, datat e merkatos dhe garat me dyer të hapura, ose të mbyllura. 

Në çdo rast, nuk do të jetë Liga, ajo që do të vendosë nëse do të fillojë përsëri Serie A, por së pari qeveria italiane dhe, së dyti, FIGC. Çështja kryesore mbeten paratë, që lidhen me të drejtat televizive. Nëse nuk luhet, ekziston rreziku që të mos ketë likuiditet nga arkat e klubeve dhe sistemi të futet në kolaps.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit