Të traumatizuar nga dështimet në Champions; PSG po kërkon edhe një trajner për… mendjen!

26 Korrik 2022
8:30
Alfred Lleshi
back button

PSG po punon për ndryshime brenda stafit stërvitor. Skuadra pariziene mund të punësojë një psikolog për të punuar me lojtarët në “Parc des Princes”, sipas informacioneve të publikuara nga “L’Equipe”.

Siç ka mundur të konfirmojë edhe “MARCA”, ky opsion ishte konsideruar tashmë pas eliminimit të dhimbshëm nga Champions League sezonin e kaluar, kundër Real Madridit. Tani, me ardhjen e Campos dhe Galtier, të cilët kanë bërë ndryshime në aspektin mjekësor të skuadrës, çështja e psikologut është rimarrë sërish.

Ka shumë të ngjarë që ky opsion të realizohet në mënyrë që një profesionist i psikologjisë sportive të punojë me skuadrën, të bëjë një ndjekje psikologjike dhe të ushtrojë shpirtin ekipor, për ta ndihmuar PSG në aspektin sportiv.

Në kuadër të stafit aktual të PSG-së nuk ka asnjë profesionist të specializuar në fushën e psikologjisë sportive, ndaj po studiohet nënshkrimi i një të tilli për t’iu bashkuar punës së përditshme të skuadrës.

Nuk është i vetmi ndryshim në aspektin mjekësor, që po shqyrtohet në zyrat e PSG-së. Sipas informacioneve të “L’Equipe”, klubi parizien do të ketë edhe një nutricionist për ekipin e parë.

Psikologjia në sport nuk është më një tabu, shumë akademi në futboll kanë specialistë të kontraktuar me kohë të plotë në mënyrë që talentet e tyre të reja të trajnohen jo vetëm në aspektin sportive, por edhe atë mendor.

Ka shumë klube elitare që i janë drejtuar një psikologu të specializuar në sport për të ndihmuar lojtarët. Përveç punës kolektive, ka edhe shumë profesionistë të futbollit, si Iniesta, Morata, Borja Iglesias apo Jaume Costa, të cilët kanë pranuar se kanë kërkuar ndihmë nga një psikolog.

Që kur Nasser Al-Khelaïfi erdhi te PSG më 2011, qëllimi i madh i klubit francez ka qenë fitimi i Ligës së Kampionëve. Një titull që i reziston dhe në të cilin ka pësuar disfata shumë traumatike.

Në gjithë këto vite, klubi parizien ka shpenzuar më shumë se 1.400 milionë euro për transferime, duke punësuar lojtarë të kategorisë së Messi, Neymar, Mbappe, Sergio Ramos, Beckham, Verratti, Ibrahimovic, Thiago Silva, Cavani, David Luz, Di María apo Buffon, me objektivin e vetëm ngritjen e “kupës veshëgjatë”, por nuk ka qenë e mundur.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit