Në verë, Paris Saint-Germain shkurtoi skuadrën, duke përfunduar rreth dhjetë operacione tranferimesh mes shitjeve dhe huazimeve, disa prej të cilave ishin shumë të rëndësishme.
Mjafton të thuhet se tre senatorë si Lionel Messi, Neymar dhe Marco Verratti janë larguar, mes Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Katarit. Dhe operacionet me Katarin mund ta vënë PSG-në në rrezik.
Dihet, sigurisht që nuk po e zbulojmë Amerikën kur themi se marrëdhëniet mes klubit parizian dhe Katarit janë shumë të ngushta (një fond katar mban pothuajse të gjitha aksionet e PSG-së) dhe këtë verë aq më tepër, sepse përveç Verratit Abdou Diallo dhe Julian Draxler përfunduan gjithashtu në Katar, përkatësisht te Al Arabi dhe Al Ahly, për një total prej 80 milionë eurosh të fituara.
Javier Tebas, presidenti i La Liga-s, kishte përqendruar tashmë vëmendjen e tij në këto operacione: “A mendojnë se ne jemi idiotë? Katari është një vend satelit i PSG-së, i cili kështu merr fitime të mëdha. A është ky sistemi që duam? Nuk mendoj kështu”, tha ai i mërzitur. Dhe tani edhe UEFA ka nisur hetimet e saj, siç zbulohet nga L’Equipe.
Nëse organi më i lartë kontinental do të gjente një lidhje tepër të fortë midis shitësit dhe blerësit, ai gjithashtu mund të vendosë të ngrijë operacionet në fjalë, duke mos i bërë ato të llogariten në buxhetin e Parisit dhe në llogaritë e Fair Play Financiar.
Për më tepër, PSG do të rrezikonte edhe një gjobë të madhe. Por klubi duket i qetë: “Lojtarët janë shitur me çmimin e tregut dhe ne nuk kemi aksione në asnjë nga klubet që kanë blerë këta tre lojtarë”, thonë nga brenda klubit.