Ten Hag i zbulon të gjitha papaskenat: Manchester United e zgjodha si sfidë, ja ç’do të ndodhë me CR7

17 Maj 2022
8:30
Alfred Lleshi
back button

Erik ten Hag tashmë flet si trajner i Manchester United. Trajneri holandez, kampion i ‘Eredivisie’ me Ajax-in, tashmë po shikon nga sfida e radhës në stolin e “Old Trafford”, ku do t’i duhet të marrë disa vendime edhe para se të kryejë stërvitjen e parë.

Njëra prej tyre ka të bëjë me të ardhmen e Cristiano Ronaldos që pak nga pak, gjest pas gjesti duket se zbulon misterin dhe që synon të qëndrojë edhe një vit në skuadrën angleze. Edhe Ten Hag lëviz përgjatë të njëjtave linja. “Unë dua shumë të punoj me të”, – deklaroi tekniku holandez në një intervistë për gazetën ‘De Telegraaf’.

Mbështetja e trajnerit të tij të ardhshëm ishte një nga çelësat e qëndrueshmërisë së portugezit në ekip. Dhe kjo mbështetje nuk duket se do të mungojë: “Ronaldo është një gjigant për atë që ka treguar tashmë, mendoj se është ende shumë ambicioz. Sigurisht, dua që ai të qëndrojë. Ka qenë shumë i rëndësishëm për Manchester United këtë vit dhe mund të shtojë statistika të shkëlqyera”.

Këto komplimente nga trajneri për lojtarin vijnë vetëm pasi të njëjtat fjalë të mira janë thënë në drejtim të kundërt, nga Ronaldo për Ten Hag: “Ajo që di për të është se bëri një punë fantastike për Ajax-in, është një trajner me përvojë. Shpresoj t’ia dalim mbanë, i uroj më të mirat dhe besojmë se sezonin e ardhshëm do të fitojmë trofe”.

Respekti dhe qëllimet e mira mes portugezit dhe holandezit vijnë për kënaqësinë e tifozëve të Manchester United, të cilët kishin frikë se mos një marrëdhënie e keqe mes të dyve apo dyshimet e trajnerit të ri për vazhdimësinë e CR7 do të përfundonin me largimin e 37-vjeçarit nga “Old Trafford”.

“Kemi rënë dakord që të nis punën te Manchester United nga 16 maji, – ka zbuluar Ten Hag në intervistë, në të cilën ka treguar se ka gjëra për të analizuar rreth skuadrës: – Në përgatitje për sezonin e ri janë ende disa gjëra për t’u sistemuar, si përbërja e stafit Teknik të ekipit.

Dua të lë gjurmë në këtë eksperiencë, por duhet bërë shumë kujdes. Kisha mundësi për të punuar në klube ku është më e lehtë, sepse kanë një bazë më të mirë. Por unë zgjodha Manchester United, sepse ka diçka për të fituar edhe atje. Shumë gjëra duhet të adresohen dhe kjo është një sfidë. Klubi dhe unë jemi dakord për këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit