Tenisi thyen karantinën, në Gjermani luhet turneu i parë pas 2 muajsh

5 Maj 2020
9:22
Telesport
back button

Në Gjermani është luajtur turneu i parë i tenisit (Tennis Point Exhibition Series) që kur coronavirus “pushtoi” botën dhe u vendos pezullimi i ndeshjeve të këtij sporti. Ky turne u zhvillua në rajonin e Hoehr-Grenzhaunsen dhe të pranishëm ishin 8 tenistë rezidentë në atë zonë.

Më i miri prej tyre ishte Dustin Brown, nr.239 në botë dhe nismëtar i këtij turneu. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe me nga 4 tenistë secili, ku në fund më të mirët shkuan në gjysmëfinale e më pas u luajt finalja (fitues doli Yannick Hanfmann).

Turneu u zhvillua në masa të rrepta sigurie e higjene, ku në fushë zbritën vetëm 3 persona: Dy tenistët dhe gjyqtari. Nuk kishte kapës topash apo gjyqtarë të vijave të fushës e natyrisht ndeshjet u zhvilluan pa praninë e tifozëve.

Tenistët luajtën pa maska në fytyrë, por gjatë kohës së pushimit ata qëndronin të ulur në karrige në fund të fushës dhe jo anash gjyqtarit, siç qëndrojnë zakonisht. Ata nuk lejoheshin të takoheshin para, gjatë dhe pas ndeshjes, teksa qëndronin me maska kur hynë dhe u larguan nga fusha.

Setet zgjasnin deri në 4 “game” të fituara dhe jo në 6, si zakonisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit